Informim dhe sqarim lidhur me situatën e mbingarkesës në Komunën e Ferizajt


1/13/2025

KOSTT dëshiron t’i informoj qytetarët në Komunën e Ferizajt që me rastin e uljes së temperaturave në fillim të kësaj jave, ka një rritje të kërkesës për konsum të energjisë elektrike, gjë e cila ka ndikuar që të arrihet kapaciteti maksimal bartës transformues në nënstacionet ekzistuese në Ferizaj. Kapaciteti maksimal bartës ekzistues është 111.5 MW, ndërsa kërkesa maksimale në orë të pikut shpeshherë arrin nivelet deri në 140 MW.

Sa i përket punëve përfundimtare të nevojshme për përfundimin e linjës së vetme 3 km e cila furnizon me energji elektrike nënstacionin me një trafo me kapacitet 40 MW, KOSTT dëshiron të informoj qytetarët e Ferizajt që është në fazat finale të përfundimit të punimeve dhe është duke punuar me ritëm të përshpejtuar për t’i përfunduar punimet më herët se afati i kontraktuar.

Përkundër përpjekjeve maksimale të ekipeve të specializuara të mirëmbajtjes së KOSTT dhe Operatorit Ekonomik përgjegjës për të përfunduar punimet para datës 14.01.2025, temperaturat e ulëta nën zero që po mbizotërojnë këto ditë kanë bërë tejet të vështirë vazhdimin e punimeve të mbetura në linjë, respektivisht tek shtylla Nr. 12. Me kërkesë të kompanisë zvicerane të specializuar për punime në linjë, janë shtyrë punimet për disa ditë, për të rifilluar përsëri të premten me datë 17.01.2025. Punimet pritet të zgjasin 2 deri 3 ditë dhe sapo të krijohen të gjitha kushtet e nevojshme atmosferike dhe teknike, nënstacioni do të hyjë në funksion dhe do të jetë operacional.

Përderisa linja ndërlidhëse dhe Nënstacioni në NS Ferizaj 3 (Kastriot) të vihen në funksion, gjë e cila pritet të bëhet së shpejti, Qendra Nacionale Dispeçerike e KOSTT-it, vlerëson rast për rast situatat e krijuara të mbingarkesës dhe sipas kërkesës së tyre, mund të paraqitet nevoja për udhëzime ndaj KEDS-sit për kufizim të ngarkesës në Nënstacionin tjetër në Ferizaj 1, me qëllim të ruajtjes së aseteve të sistemit elektro energjetik dhe mos rrezikimit të operimit në kapacitet maksimal të trafo-ve.

Me këto informacione, shpresojmë që qytetarët e afektuar do të jenë të informuar plotësisht mbi çështjen e mbingarkesës dhe të shmanget çfarëdo informimi i pjesshëm që mund të cenojë besimin ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës dhe funksionimit të sistemit elektro energjetik.

KOSTT u është mirënjohës për mirëkuptimin konsumatorëve të afektuar nga reduktimet e energjisë të cilat po ndodhin si pasojë e mbingarkesës në kapacitete. Njëkohësisht, KOSTT garanton të gjithë konsumatorët e afektuar që është duke punuar me kapacitete maksimale për të mundësuar energjizimin e nënstacionit të ri, i cili do të zgjidhë çështjen afatgjatë të furnizimit.

KOSTT edhe njëherë u bën thirrje të gjithë qytetarëve që deri në lëshimin në funksion të nënstacionit dhe linjës, në mënyrë që të evitohen reduktimet, të bëjnë përpjekje maksimale për kursim të energjisë elektrike, aty ku është e mundur, veçanërisht në orët e pikut kur ngarkesa është e lartë.