Sqarim plotësues lidhur me situatën e mbingarkesës në Komunën e Ferizajt


1/20/2025

KOSTT dëshiron të informoj drejt qytetarët, bizneset dhe institucionet në Komunën e Ferizajt lidhur me situatën e mbingarkesës në nivel të transmisionit. Ngjashëm siç është bërë edhe në sqarimin e dhënë me datë 31 dhjetor 2024 dhe me datën 13 janar 2025, KOSTT kishte planifikuar që energjizimi i Nënstacionit Ferizaj 3 (Kastriot) të përfundoj para datës 15 janar 2025. Mirëpo, për shkak të temperaturave tejet të ulëta dhe me kërkesë të kompanisë zvicerane të specializuar për punime në linjën 3 km e cila e furnizon nënstacionin me energji elektrike, ka qenë e pamundur të vazhdohet puna dhe të përfundoj energjizimi para datës 15 janar 2025.

KOSTT njofton se janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për energjizim të Nënstacionit Ferizaj 3 (Kastriotit) dhe që shumë shpejtë do të përcaktohet edhe data zyrtare e ceremonisë, me të cilën do të njoftohen me kohë të gjitha palët.

Vonesat e stërzgjatura për përfundimin e mëhershëm të punimeve në linjë janë shkaktuar si rezultat i padive gjyqësore nga qytetarët të cilëve u janë shpronësuar parcelat e tyre me vendim të Qeverisë së Kosovës. Përkundër vullnetit të mirë dhe përpjekjeve maksimale të ekipeve të KOSTT, realizimi i punimeve është hasur në pengesa institucionale dhe praktike, duke shkaktuar vonesa në përfundimin e mëhershëm të tyre.

Ritheksojmë që derisa linja dhe Nënstacioni në Ferizaj 3 (Kastriot) të vihen në funksion, gjë që pritet të ndodhë së shpejti, Qendra Nacionale Dispeçerike e KOSTT-it vlerëson situatat e mbingarkesës dhe, sipas nevojës, mund të japë udhëzime për kufizim ngarkese në Nënstacionin Ferizaj 1. Kjo do të bëhet për të ruajtur asetet e sistemit elektroenergjetik dhe për të parandaluar rrezikimin e operimit në kapacitet maksimal të trafove.

KOSTT dëshiron të sqarojë të gjithë opinionin lidhur me çështjen në fjalë që vetëm raportimi zyrtar i KOSTT, i pasqyruar përmes kanaleve zyrtare të tij, duhet të konsiderohet si informim i saktë dhe zyrtarë. Të gjitha raportimet tjera lidhur me këtë çështje mund të jenë të pa konfirmuara, të pasakta dhe nuk paraqesin qëndrim zyrtar duke mos reflektuar kronologjinë e saktë dhe gjendjen faktike të situatës me furnizim me energji elektrike në Ferizaj.