Kryeshefi Ekzekutiv z. Evetar Zeqiri pjesëmarrës në panelin e Konferencës së Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm në Kosovë


9/17/2024

Në kuadër të edicionit të shtatë të Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm në Kosovë (KSDW 2024 - Kosovo Sustainable Development Week) , Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT, Z. Evetar Zeqiri , Ministrja e Ekonomisë, znj. Artane Rizvanolli dhe përfaqësues të Sekretariatit të Energjisë , morën pjesë në të njëjtin panel ku u diskutuan çështje kyçe për të ardhmen e energjisë në Kosovë dhe rajon. Tema e diskutimit, "Tranzicioni Energjetik në Ballkanin Perëndimor," trajtoi sfidat dhe mundësitë me të cilat përballen vendet e rajonit në përpjekjet e tyre për të kaluar nga burimet tradicionale të energjisë drejt burimeve të ripërtëritshme dhe më të qëndrueshme .

Gjatë panelit, Z. Zeqiri ndau vizionin e tij për rolin strategjik të KOSTT në këtë tranzicion, duke vënë theksin në nevojën për modernizimin e infrastrukturës energjetike dhe integrimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë në sistemin energjetik të Kosovës. Ai diskutoi për rëndësinë e përpjekjeve të vazhdueshme të KOSTT për të siguruar një sistem të qëndrueshëm dhe të besueshëm të transmisionit, i cili do të përmbushë kërkesat e rritura për energji të pastër dhe të qëndrueshme .

“Nuk mund të ketë siguri energjetike pa investuar sot në energjinë e pastër dhe teknologjitë e qëndrueshme. KOSTT është i vendosur të udhëheqë këtë tranzicion dhe të sigurojë që Kosova të jetë pjesë aktive e zhvillimeve globale drejt një sistemi energjetik të qëndrueshëm,” theksoi Z. Zeqiri, duke vënë në pah domosdoshmërinë e veprimeve për të përballuar sfidat kritike të ndryshimeve klimatike .

Integrimi i burimeve të ripërtëritshme të energjisë jo vetëm që kontribuon në një furnizim më të qëndrueshëm dhe të pastër, por gjithashtu ndikon drejtpërdrejt në përmbushjen e standardeve teknike të sigurisë të kërkuara nga doracaku i ENTSO-E .