
Inaugurohet Energjizimi i Nënstacionit të ri NS 10/35/10 kv në Fushë Kosovë, edhe një hap tjetër i rëndësishëm për përmirësimin e furnizimit me energji elektrike në Kosovë
Në prani të figurave të larta shtetërore dhe përfaqësuesve kryesorë të sektorit të energjisë, sot më 19 Dhjetor 2024, u inaugurua energjizimi i nënstacionit të ri në Fushë Kosovë, i ndërtuar me teknologjinë më moderne të tensionit të lartë, ajo me izolim me gaz (Gas Insulated Switchgear – GIS).
Ky projekt, i cili së bashku me investimin në linjë arrin vlerën 6,441,703 milion , përfaqëson një hap të madh përpara në rritjen e kapaciteteve transmetuese dhe transformuese të rrjetit energjetik në Kosovë, duke ofruar furnizim më të sigurt, më cilësor dhe më të qëndrueshëm për rajonin e Fushë Kosovës dhe të gjithë Republikën e Kosovës. Pjesëmarrësit nënvizuan rëndësinë e këtij projekti për zhvillimin ekonomik dhe industrial të rajonit , si dhe për përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve nëpërmjet reduktimit të humbjeve në transmision dhe eliminimit të fyteve të ngushta në rrjetin energjetik.
Teknologjia e avancuar GIS që po përdorim ofron siguri maksimale në operim dhe minimizon ndikimin në mjedis . Ky projekt është një tregues i përkushtimit tonë për të rritur cilësinë e furnizimit me energji elektrike dhe për të mbështetur zhvillimin ekonomik të vendit tonë. KOSTT është krenarë që, së bashku me partnerët tanë, po ndërtojmë një të ardhme më të sigurt dhe më të qëndrueshme për të gjithë qytetarët e Kosovës
, e në veçanti në zonat me zhvillim të përshpejtuar ekonomik, social dhe urban.
Me rastin e inagurimit, Ministrja e Ekonomisë, e cila ishte prezente, znj. Artane Rizvanolli, theksoi që Nënstacioni i ri pritet të ketë një ndikim të konsiderueshëm në përmirësimin e cilësisë së furnizimit me energji elektrike tek qytetarët e komunës së Fushë Kosovës, duke siguruar më shumë stabilitet për konsumatorët dhe duke ndihmuar në plotësimin e nevojave në rritje të rrjetit energjetik të vendit. Ky projekt është një dëshmi e angazhimit për zhvillimin e një infrastrukture moderne dhe të qëndrueshme në sektorin e energjisë.
KOSTT falënderon Qeverinë e Kosovës dhe Ministrinë e Ekonomisë, Zyrën e Rregullatorit të Energjisë, dhe të gjithë partnerët dhe kontribuesit tjerë që ndihmuan realizimin e këtij projekti , duke premtuar përkushtim të vazhdueshëm në ndërtimin e një sektori energjetik të fuqishëm dhe të qëndrueshëm në ofrimin e kushteve më të mira për jetesë të konsumatorëve fundor.