
Funksionalizimi i Tregut të Ankandeve Brenda Ditor për Zonën e Ofertimit të Kosovës dhe Bashkimin e Tregjeve të Ankandeve Brenda Ditor ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë
Sot, u mbajt ceremonia e funksionalizimit të Tregut Brenda së Njëjtës Ditë (IntraDay Market) dhe bashkimit të tij me tregun e Shqipërisë për Zonën Ofertuese të Kosovës, duke shënuar edhe një hap të rëndësishëm drejt avancimit të tregut energjetik të vendit. Kjo arritje strategjike e pozicionon Kosovën fuqishëm në rrugën e integrimit të plotë me tregjet rajonale dhe evropiane të energjisë
Funksionalizimi i IntraDay Market dhe bashkimi me Shqipërinë krijon një mekanizëm që ndihmon në rritjen e efikasitetit operacional dhe stabilitetit të sistemit energjetik. Ky hap mundëson balancimin në kohë reale të ofertës dhe kërkesës për energji elektrike, duke kontribuar në përmirësimin e sigurisë së furnizimit dhe në unifikimin e çmimeve të energjisë elektrike ndër dy tregjet. Përfitimet e këtij bashkimi janë të dukshme në aspektin ekonomik, teknik dhe social, duke rritur konkurrencën dhe duke përmirësuar transparencën e tregut.
Bashkimi i tregut brenda së njëjtës ditë me Shqipërinë përfaqëson një zhvillim të rëndësishëm drejt rritjes së sigurisë së furnizimit për konsumatorët, unifikimin e çmimeve të energjisë elektrike dhe përshpejtimin e procesit të integrimit të tregjeve të energjisë elektrike në nivel rajonal, duke synuar në fund integrimin e plotë në Tregun Evropian të Energjisë.
Si pjesë e këtij procesi, u zhvilluan me sukses tri ankandet e para të njohura si CRIDA 1, CRIDA 2 dhe CRIDA 3. Rezultatet pozitive nga këto ankande vendosën një themel të fuqishëm për operimin e mëtejshëm të këtij tregu, duke krijuar një praktikë që do të ndihmojë në stabilitetin afatgjatë të sektorit energjetik të Kosovës. Ky bashkim i tregjeve është rezultat i përkushtimit të përbashkët të institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë, duke reflektuar bashkëpunimin strategjik të dy vendeve në përmbushjen e objektivave të përbashkëta energjetike dhe në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira të Bashkimit Evropian.
Rruga drejtë kompletimit të plotë të ALPEX-it nuk ka qenë pa sfida. Në cilësinë e aksionarit, KOSTT falënderon stafin nga OST e Shqipërisë, stafin e ALPEX-it, dhe të gjithë akterët vendorë dhe ndërkombëtarë që kanë dhënë kontribut të çmueshëm në realizimin e këtij projekti madhor. Ky bashkim përfaqëson jo vetëm një arritje të madhe për Kosovën, por edhe një model të suksesshëm të bashkëpunimit ndërshtetror dhe harmonizimit të tregjeve energjetike në rajon.