
KOSTT caktohet nga Qeveria e Kosovës si entiteti përgjegjës për Operimin e Energjisë së Ripërtëritshme (OER) në Kosovë
Me hyrjen në fuqi të Ligjit për Promovimin e Burimeve të Ripërtërishme të Energjisë, në prill të vitit 2024, janë krijuar akterë dhe përgjegjësi shtesë për promovimin e përdorimit të Energjisë nga Burimet e Ripërtëritshme në Republikën e Kosovës.
Me Vendim të Qeverisë së Republikës së Kosovës të datës 11.12.2024, KOSTT-it, i besohet përgjegjësia për ushtrimin e kompetencave si Operator i Energjisë së Ripërtëritshme (OER). Ky vendim pasqyron angazhimin e institucioneve për të avancuar tranzicionin energjetik dhe për të përkrahur zhvillimin e qëndrueshëm në vend përmes mbështetjes së BRE-ve. Përveç kësaj, KOSTT, tashmë edhe përmes OER, do të vazhdoj të menaxhoj Fondin Mbështetës për Energjinë e Ripërtëritshme.
Me këtë mandat të ri, KOSTT do të forcojë edhe më tutje rolin qendror në integrimin dhe mbështetjen e burimeve të ripërtëritshme. Përgjegjësitë përfshijnë menaxhimin dhe monitorimin e rrjedhës së energjisë së pastër, si dhe promovimin e transparencës dhe efikasitetit në sektor. Ky zhvillim është një hap i rëndësishëm drejt ndërtimit të një sistemi energjetik të qëndrueshëm dhe të sigurt, që reflekton prioritetet strategjike të Kosovës për mbrojtjen e mjedisit dhe reduktimin e ndotjes. Duke integruar energjinë diellore, energjinë me erë dhe burime të tjera të pastra, Kosova do të kontribuojë ndjeshëm në reduktimin e varësisë nga burimet tradicionale dhe në mbështetjen e qëllimeve globale për dekarbonizim.
KOSTT mbetet i përkushtuar për të zbatuar këtë rol me përgjegjësi të plotë, duke bashkëpunuar ngushtë me të gjitha palët e interesit, përfshirë institucionet qeveritare, gjeneruesit e privilegjuar dhe palët e interesit. Përmes këtij hapi, synohet jo vetëm përmirësimi i sistemit elektroenergjetik, por edhe krijimi i mundësive të reja ekonomike dhe investuese për sektorin e energjisë së ripërtëritshme.
KOSTT falënderon Qeverinë e Kosovës, dhe Ministrinë e Ekonomisë për besimin e dhënë dhe siguron të gjithë akterët që do të vazhdojë të i kryej me përkushtim të gjitha detyrimet që rrjedhin lidhur me mbështetjen e projekteve të Energjisë së Ripërtëritshme të Energjisë, në linjë me skemat mbështetëse.