Përmbyllet me sukses votimi i Marrëveshjes së re të Kyçjes KOSTT/ENTSO-E
Sot më 20 prill 2020 u përmbyll me sukses votimi i Marrëveshjes së re të Kyçjes në mes të KOSTT dhe ENTSO-E, nga Grupi Regjional i Evropës Kontinentale (RGCE).
Me votimin e sotëm dhe nënshkrimin që do të pasoj, KOSTT dhe Republika e Kosovës përfundimisht del nga Blloku rregullues SMM (Serbi, Mali i Zi dhe Maqedoni Veriore) dhe i bashkohet Bllokut Rregullues të Sistemeve Energjetike Kosovë-Shqipëri-Blloku AK.
Me fillimin e implemenimit të Marrëveshjes së re të Kyçjes në mes të KOSTT dhe ENTSO-E, KOSTT do të operoj si zonë rregulluese e pavarur brenda Bllokut AK në kuadër të zonës sinkrone të Evropës Kontinentale. Alokimi i kapaciteteve të interkoneksionit dhe menaxhimi i kongjestioneve të rrjetit interkonektiv do të realizohet brenda strukturës së këtij blloku dhe jo më nga EMS (Serbi), ku edhe të hyrat nga këto aktivitete do të mblidhen nga Blloku, përkatësisht nga KOSTT. Ky zhvillim tutje i hap rrugë KOSTT-it për integrimin në tregun rajonal të energjisë, pjesëmarrjes në bursën shqiptare të energjisë (APEX) si dhe vënies në operim të linjës 400 kV Kosovë-Shqipëri.
Pas zhvillimeve të sotshme, Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT z.Ilir M.Shala theksoi “Pas një pune të shkëlqyeshme nga ekipi i ekspertëve të KOSTT për disa vite me radhë, siç edhe patëm paralajmëruar, ne sot me 20 prill 2020 angazhimin tonë të pakursyer e kurorëzuam me fitore. Kjo, është një ditë e madhe historike për KOSTT-in dhe për gjithë Kosovën. Me zhvillimet e sotshme, edhe në aspektin energjetik KOSTT dhe Republika e Kosovës pavarësohen nga Serbia.”
KOSTT sh.a falëndron për mbështetjen institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës, ZRrE, Ambasadën Gjermane, Bankën gjermane për Zhvillim-KfW, Ambasadën Amerikane, USAID, kompanitë homologe të ENTSO-E dhe të gjitha palët e tjera të interesit vendore dhe ndërkombëtare për përkrahjen e vazhdueshme në këto procese.