Nga sot, Komuna e Rahovecit, Malishevës dhe Therandës me furnizim më të besueshëm dhe cilësor me energji elektrike, ndërkaq Rrjeti i Transmetimit të Kosovës nga sot plotëson kriterin e sigurisë së furnizimit N-1


6/18/2020

Që nga viti 2008 kur është ndërtuar për herë të parë nënstacioni 110/35/10(20)kV Rahoveci i lidhur me një linjë të vetme transmetuese 110 kV, sot u përmbyll me sukses projekti i ndërtimit të linjës së re të tensionit të lartë 110 kV me gjatësi prej 16.5 km, e cila shtrihet në 57 shtylla elektrike, duke lidhur këtë nënstacion me nënstacionin 110/35/10(20)kV Theranda.

Falë realizimit të këtij projekti në vlerë prej më se 1.43 milion Euro, i cili u bashkë-financua nga ana e KOSTT dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), qytetarët e Komunës së Rahovecit, Malishevës dhe Therandës, nga sot do të kenë furnizim më të besueshëm dhe më cilësor me energji elektrike, nga aspekti i transmetimit.

Ky projekt gjithashtu do të ndikojë në rritjen e kapaciteteve transmetuese, uljen e energjisë së padërguar te konsumatorët si dhe në optimizimin e proceseve të mirëmbajtjes së linjave transmetuese.

Ndërkaq me vënien në operim të linjës, tani përfundimisht Rrjeti i Transmetimit të Kosovës plotëson kriterin teknik të sigurisë së furnizimit N-1.

Me rastin e përmbylljes së suksesshme dhe vënies në operim të këtij projekti kapital, Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT z.Ilir M.Shala theksoi “Në vazhdimësi të përmbushjes së misionit të KOSTT për të garantuar siguri të furnizimit në fushën e përgjegjësive të veta, me qëllim të mbështetjes së zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të Republikës së Kosovës, ne sot e energjizuam linjën e re 110 kV NS Rahoveci-NS Theranda. Ky projekt përveç rëndësisë që e ka në përforcimin dhe zhvillimin e rrjetit të transmetimit, njëkohësisht krijon kushte për integrim dhe operim të sigurt të burimeve të ripërtërishme të energjisë nga era në Zatriq, e që janë objektiva afatgjate të politikave energjetike të vendit në mbështetje të zhvillimit ekonomik, rritjes së sigurisë së furnizimit dhe mbrojtjes së mjedisit”.