Nënshkruhet kontrata në mes të KOSTT dhe Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) për shërbimet e Rezervës Manuale për Restaurimin e Frekuencës


7/2/2020

Sot më 2 korrik 2020 në Prishtinë, Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT z.Ilir M.Shala dhe Administratori i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) z.Benet Beci, nënshkruan kontratën për shërbimet e Rezervës Manuale për Restaurimin e Frekuencës (mFRR).

Në bazë të kontratës së nënshkruar, KOSTT do të blejë shërbimet mFRR nga KESH me qëllim të balancimit të Sistemit Elektroenergjetik të Kosovës.

Me qëllim të operimit stabil të sistemit elektroenergjetik si dhe balancimit të sistemit në kohë reale, KOSTT si Operator i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës, në bazë të Ligjit të Energjisë Elektrike dhe licencës për operimin e sistemit të transmetimit, është i obliguar të sigurojë shërbimet ndihmëse, pjesë e së cilës është Rezerva Manuale për Restaurimin e Frekuencës (mFRR)/Rezerva Terciare.

Balancimi i sistemit është i domosdoshëm gjithashtu për funksionimin e KOSTT si zonë rregulluese e pavarur, në kuadër të Bllokut Rregullues me Shqipërinë (Blloku AK) dhe në punë paralele me sistemet tjera të Evropës Kontinentale.

Me këtë rast, Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT z.Shala theksoi “Ky është një nga proceset përgatitore që i paraprijnë fillimit të operimit të pavarur të KOSTT. Me sigurimin e rezervave rregulluese ne do të përmbushim obligimin, që rrjedh nga legjislacioni vendor si dhe nga rregullativat e ENTSO-E, të cilat definojnë kushtet e domosdoshme për punë paralelele interkonektive.”

Ndërsa, Administratori i KESH Benet Beci në mes tjerash u shpreh se “kjo marrëveshje e arritur sot është e rëndësishme për faktin se është marrëveshja e parë e KESH që mundëson treg ndërkufitar balancues Kosovë – Shqipëri si dhe kontribuon në operimin më efikas të të dy sistemeve elektroenergjetike. Kontrata është një hap konkret i hedhur në funksion të Strategjisë së Qeverisë Shqiptare dhe të Kosovës për integrimin e tregjeve të energjisë në mes dy vendeve, theksoi tutje z.Beci.”

Zbatimi i kontratës ndërmjet KOSTT dhe KESH për shërbimet mFRR do të fillojë me fillimin e zbatimit të Marrëveshjes së Kyçjes KOSTT/ENTSO-E dhe operimit të KOSTT si Zonë Rregulluese brenda Bllokut AK, ndërkaq procesi është zhvilluar në pajtim me Procedurën për Tregtimin e Energjisë, të miratuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë.