Kryeministri i Republikës së Kosovës priti në takim Bordin e KOSTT-it


9/18/2020

Sot, më 18 Shtator 2020, në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Avdullah Hoti, priti në takim Bordin e Drejtorëve të KOSTT-it, kryesuar nga kryesuesi i Bordit, z. Jeton Mehmeti, anëtarët z. Arben Dodaj, z. Nebih Zariqi, z.Ilir M. Shala - Kryeshef Ekzekutiv si dhe z.Visar Hoxha, Sekretar i Kompanisë/Menaxher i Zyrës Ligjore, ku u njoftua për zhvillimet e fundit në sektorin e energjisë dhe stabilitetin energjetik në vend.

Me këtë rast, duke  ofruar mbështetjen e Qeverisë së Kosovës për KOSTT-in, kryeministri Hoti u shpreh: ‘’stabiliteti energjetik është parakusht për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik të vendit, i rritjes së investimeve të brendshme dhe atyre të jashtme dhe në funksion të mirëqenies së qytetarëve’’.
 

Në anën tjetër kryesuesi i Bordit të Drejtorëve të KOSTT-it, Z. Mehmeti dhe Kryeshefi Ekzekutiv z. Shala shprehën mirënjohje ndaj mbështetjes së vazhdueshme të Qeverisë së Republikës së Kosovës për KOSTT-in, në këtë kohë kur Marrëveshja e re e Kyçjes KOSTT/ENTSO-E pritet të fillojë së zbatuari në vjeshtë të këtij viti, derisa KOSTT tashmë ka realizuar të gjitha përgatitjet teknike operative për të qenë i gatshëm për fillimin e operimit të pavarur në kuadër të Bllokut Rregullues të Sistemeve Energjetike Kosovë-Shqipëri (Blloku AK).