Hyn në fuqi Marrëveshja e re e Kyçjes KOSTT/ENTSO-E


9/29/2020

Sot, me 29.09.2020, nga Grupi Regjional i Evropës Kontinentale (RGCE), trup i ENTSO-E, u vendos që Marrëveshja e re e Kyçjes, e nënshkruar me 30.06.2020 në mes të KOSTT dhe ENTSO-E, hyn në fuqi.

Kjo është një ditë historike për KOSTT dhe Kosovën, meqë nga ENTSO-E u vlerësua që KOSTT ka plotësuar të gjitha kushtet e parapara me marrëveshje dhe është e gatshme të operoj e pavarur nga Serbia, si Zonë Rregulluese brenda Bllokut Rregullues Kosovë - Shqipëri.

Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT z.Ilir M.Shala me këtë rast theksoi “jam krenar me punën ekipore dhe profesionale të bërë nga Grupi Punues i KOSTT si dhe falënderoj të gjitha kompanitë homologe të Evropës Kontinentale për përkrahjen e në veçanti Operatorin e Sistemit të Transmetimit të Shqipërisë OST sh.a si dhe institucionet shtetërore dhe ato ndërkombëtare si: Ambasadën Amerikane në Prishtinë, USAID, Ambasadën Gjermane në Prishtinë, KfW dhe miqtë tjerë ndërkombëtar.”