#NeJemiKOSTT

Përkushtimi dhe kontributi i secilit punonjës pa dallim është vlerë e çmuar në drejtim të përmbushjes së objektivave strategjike të kompanisë. Çdo muaj prezantojmë intervistat e realizuara me dy punonjës të përzgjedhur.


10/22/2020

Krenare Osmani Gjukaj përfundoi studimet dhe masterin në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti Eonomik, drejtimi Ekonomiks. Në Shkurt të vitit 2011 u punësua në KOSTT fillimisht si praktikante për një periudhë një vjeçare dhe pastaj u emërua Specialiste për Tarifa. Nga viti 2018 mban pozitën Menaxhere e Sektorit të Tarifave në kuadër të Departamentit për Çështje Rregullative dhe Tarifa.

  1. Çfarë ju inspiron për të vazhduar punën në sektorin e energjisë/KOSTT?

Puna në sektorin e energjisë është shumë atraktive dhe sfiduese njëkohësisht. Bazuar në profesionin që kam dhe studimet e përfunduara në fushën e ekonomisë, fillimisht kam qenë shumë e rezervuar që të punoj në sektorin e energjisë. Mirëpo, që nga dita e parë e punës e kam ndjerë energjinë pozitive e cila më ka nxitur të mësoj shumë dhe të zhvillohem profesionalisht.

Puna të cilën e bëj është një ndërlidhje e fushave të inxhinierisë dhe ekonomisë, gjë që e bën shumë atraktive, andaj ndjehem me fat dhe e privilegjuar që të punoj në një kompani të tillë siç është KOSTT.

 

  1. Na tregoni ju lutem për një  projekt të veçantë/angazhim specifik apo sfidë me të cilën jeni përballur gjatë punës tuaj profesionale në sektorin e energjisë

Gjatë 10 viteve punë në KOSTT, jam aftësuar  dhe zhvilluar shumë profesionalisht, e kjo falë angazhimeve dhe ballafaqimeve të drejtpërdrejta me detyrat specifike. Si projekt të veçantë mund të përmendi zhvillimin e Modelit Financiar për planifikim afatgjatë financiar të KOSTT, për të cilin jam caktuar projekt menaxher tash e 8 vite. Sigurisht është një përgjegjësi mjaft e madhe dhe shumë sfiduese e cila kërkon angazhim të madh,  por njëkohësisht është puna që e bëj me shumë kënaqësi, aq më tepër kur kjo punë dhe ky angazhim vlerësohet shumë nga menaxhmenti. 

 

  1. A mendoni që roli dhe kontributi i të dy gjinive pa dallim është i rëndësishëm në sektorin e  energjisë dhe çka mendoni se duhet ndërmarrë për të rritur diversitetin gjinor në këtë sektor?

Sigurisht që roli dhe kontributi i të dy gjinive pa dallim është shumë i rëndësishëm në sektorin e  energjisë, sikur në të gjitha sektoret e tjera. Sot, fatmirësisht ka filluar të çmohet roli dhe kontributi i femrës në shoqëri përmes arsimimit dhe përgatitjes profesionale, të cilët janë faktor kryesor në avancimin e femrave në punë dhe në proceset vendimmarrëse.

KOSTT luan një rol shumë të madh në ngritjen e pozitës së femrës, duke i bërë ato pjesë e angazhimeve dhe pozitave vendimmarrëse.  

Ndjehem me fat që punoj në një kompani ku çmohem për punën profesionale pa dallime gjinore, duke më ofruar kushte dhe mundësi të avancohem profesionalisht.


Etor Tahiri është inxhinier i elektroteknikës i diplomuar në drejtimin “Sistemet Elektroenergjetike” në Fakultetin Elektroteknik në Universitetin e Prishtinës.

Rrugëtimin e tij në sektorin e energjisë e ka filluar menjëhere pas studimeve në njërën ndër kompanitë private në Kosovë dhe me sukses ka arritur avancimin e kësaj kompanie dhe krijimin e ekipeve profesionale duke menaxhuar disa projekte të mëdha për instalime elektrike.

Pas angazhimit dy vjeçar nëpër kompani private, në vitin 2011 u punësua në KOSTT si inxhinier praktikant ku pas përfundimit të praktikës 1 vjeçare u vendos në Departamentin për Menaxhim të Projekteve dhe Inxhinieri.

Në fillim u angazhua si inxhinier i terenit ku punoi tri vite me radhë në disa projekte si: ndërtimi i nënstacioneve të reja elektroenergjetike dhe rehabilitimi i nënstacioneve ekzistuese 110/10 (20) kV.

Pas një pune të suksesshme si inxhinier i terenit u avansua si Inxhinier i Projekteve dhe njëkohësisht e kryente edhe detyrën e Menaxherit të Projekteve pranë Sektorit të Implementimit të Projekteve në KOSTT. Në këtë detyrë qëndroi gjithsej 7 vite.

Gjatë vitit 2018 u zhvendos përkohësisht në Gjermani për një periudhë njëvjeçare dhe u angazhua si Menaxher i Projektit në një kompani Gjermane në lëmin e automatizimit në Industri. Pas përfundimit të këtyre projekteve në Gjermani u kthye prapë në Kosovë.

Pas disa ndryshimeve që ndodhën brenda Departamentit për Menaxhim të Projekteve dhe Inxhinieri u caktua si Menaxher i Sektorit për Ndërtim të Rrjetit, pozitë të cilën e mban edhe sot.

 

  1. Çfarë ju inspiron ju për të vazhduar punën në sektorin e energjisë/KOSTT?

Puna në sektorin e energjisë gjithmonë ka qenë atraktive sidomos kur je drejtpërdrejtë i lidhur me projekte të ndryshme elektro-energjetike. Gjatë karrierës time kam qenë i kyçur në më shumë se 20 projekte të ndryshme të cilat i ka zhvilluar kompania jonë KOSTT.

Çdo projekt i ka ato veçoritë e veta dhe është i veçantë në njëfarë mënyre. Puna si menaxher i projekteve të mëdha elektro-energjetike nuk është aspak e lehtë duke ditur sfidat me të cilat mund të ballafaqohesh gjatë fazave të ndryshme të ekzekutimit të punimeve, mirëpo është punë atraktive pasi që je personi kyç për projektin i cili të është besuar nga menaxhmenti i lartë i kompanisë, prandaj ke përgjegjësi për çdo gjë që ndodhë në projekt, gjithashtu ke të bësh me kompani të mëdha ndërkombëtare dhe ke rastin që të bësh vizita jashtë vendit për testimin e pajisjeve të ndryshme nëpër fabrikat më të njohura në botë në lëmin e elektroenergjetikës.

Gjatë karrierës time dhe angazhimit tim në projekte të ndryshme kam vizituar disa vende të botës dhe mësimet dhe eksperienca që kam përfituar gjatë këtyre vizitave ka qenë e jashtëzakonshme.

Vetë fjala “Projekt” të inspiron pasi diçka e re do të bëhet për vendin tënd dhe ti je personi kyç, ti je ai i cili në fund do të thuash dhe deklarosh që gjithçka është gati për energjizim, pas kësaj e sheh që gjithçka është e mundur dhe arrihet me punë. Pra, kjo më inspiron të vazhdoj tutje me projekte të reja...

Inspirim është edhe kur sheh gjenerata të reja të cilat janë shumë të përgatitur dhe të gatshëm për çdo sfidë.

 

  1. Na tregoni ju lutem për një  projekt të veçantë/angazhim specifik apo sfidë me të cilën jeni përballur gjatë punës tuaj profesionale në sektorin e energjisë

Projektet më të veçanta kanë qenë rehabilitimi i dy nënstacioneve elektro-energjetike NS Gjakova 2 dhe NS Prizreni 3 110/10(20) kV, të cilat më janë besuar për t’i menaxhuar për së pari herë dhe ka qenë një sfidë mjaftë e madhe për mua si inxhinier i ri duke ditur kompleksitetin e punimeve. Mirëpo, me përkushtimin tim dhe të ekipit të projektit, në fund këto dy nënstacione janë përfunduar me sukses dhe sot po bëhen 5 vite ku ende ndihem krenar me punën që është bërë.

Si projekt tjetër do t’a veçoja projektin e ndërtimit të linjës së dyfishtë kabllore 110 kV që lidhë dy nënstacione brenda qytetit të Prishtinës. Kjo ka qenë sfidë mjaftë e madhe duke ditur që e gjithë puna është zhvilluar brenda kryeqytetit dhe në fund është arritur të energjizohet me sukses vitin e kaluar.

Çdo projekt e ka ndonjë sfidë mirëpo nga sfidat njeriu mëson dhe bëhet më i përgatitur për të ardhmen dhe projektet e reja që të presin.

Kompania jonë gjithmonë realizon investime dhe investimet janë milionëshe, por edhe rritja e kompanisë dhe arritjet e saj vërehen, prandaj jemi këtu ku jemi sot.

Si sfidë e imja ka qenë avancimi i gjeneratave të reja në sektorin që unë drejtoj dhe dhënia e informatave sa më të sakta në çdo aspekt sa i përket punës dhe sfidave që ata mund të përballen në të ardhmen.

 

  1. A mendoni që roli dhe kontributi i të dy gjinive pa dallim është i rëndësishëm në sektorin e  energjisë dhe çka mendoni se duhet ndërmarrë për të rritur diversitetin gjinor në këtë sektor?

Mendoj që kontributi i femrave si në çdo lëmi tjetër po ashtu edhe në fushën e energjisë është mjaftë domethënës. Kam pasur rastin që të takoj profesioniste të zonjat në fushën e energjetikës në kompani të ndryshme botërore të cilat kanë qenë përgjegjëse për  testimet e pajisjeve të tensionit të lartë apo në dizajnimin e nënstacioneve. Ngjashëm, në KOSTT ne kemi femra shumë të zonjat dhe pikërisht në Departamentin e Projekteve bashkë-koleget e mia menaxhojnë projekte të rëndësishme për zhvillimin e Sistemit të Transmetimit.

Prandaj, unë mendoj që avancimi i mëtutjeshëm i femrës në shoqërinë tonë është i domosdoshëm dhe se duhet të ketë më shumë femra të punësuara në lëmin e energjisë. Mendoj që ne si KOSTT jemi në rrugë të mirë për të arritur kuotat e diversitetit gjinor dhe KOSTT tashmë është pjesë e një programi të tillë dhe shpresojmë që së shpejti do kalojmë edhe këtë sfidë që e kemi përpara si shoqëri.

Intervistat e fundit

#NeJemiKOSTT

#NeJemiKOSTT

#NeJemiKOSTT

#NeJemiKOSTT

#NeJemiKOSTT

#NeJemiKOSTT

#NeJemiKOSTT

#NeJemiKOSTT

#NeJemiKOSTT

#NeJemiKOSTT