#NeJemiKOSTT


4/28/2021

Valbona Canolli është Inxhiniere e elektroteknikës e diplomuar në drejtimin “Sistemet Elektroenergjetike” në Fakultetin Elektroteknik në Universitetin e Prishtinës.
Përvojen e saj më shume se 14 vjeçare në sektorin e energjisë e filloi në Shkurt të vitit 2007, kur u punësu në KOSTT si Inxhiniere praktikante, dhe më pas vazhdoi punën si Inxhiniere në Sektorin për Planifikim Operativ dhe Analizë afatshkurtë në Departamentin e Operimit të Sistemit.

1.    Çfarë ju inspiron ju për të vazhduar punën në sektorin e energjisë/KOSTT? 

Puna në sektorin e energjisë është mjaft sfiduese dhe me përgjegjësi. Duke i parë zhvillimet në sektorin e energjisë si dhe ndërlidhja e teknologjisë me këtë sektor në përgjithësi, kjo na ka obliguar dhe inspiruar që sa më tepër të jemi në trend me zhvillimet evropiane dhe botërore në këtë sektor, gjë që ka ndikuar edhe në zhvillimin e aftësive tona profesionale.

2.    Na tregoni ju lutem për një  projekt të veçantë/angazhim specifik apo sfidë me të cilën jeni përballur gjatë punës tuaj profesionale në sektorin e energjisë 

Siç e dijmë tashmë, me 14 Dhjetor 2020 pas një procesi të gjatë disa vjeçar KOSTT filloi operimin e pavarur si zonë rregulluese në kuadër të Bllokut rregullues Shqipëri-Kosovë. Për tu realizuar ky proces është dashur të bëhen përgatitje profesionale dhe të bëhen disa testime nga ana e KOSTT, ku edhe ne si sektor kemi qenë të përfshirë. Sektori për Planifikim dhe Analizë afatshkurtë ka pas dhe ka obligim të kryej procesin e krijimit të DACF (Day Ahead Congestion Forecast) file-ve  për të cilin kemi pas një angazhim të veçantë sidomos për tu aftësuar dhe për të përdorur softuer-in  NEPLAN.

3.    A mendoni që roli dhe kontributi i të dy gjinive pa dallim është i rëndësishëm në sektorin e  energjisë dhe çka mendoni se duhet ndërmarrë për të rritur diversitetin gjinor në këtë sektor? 

Kontributi i të dy gjinive pa dallim është i rëndësishëm si në sektorin e energjise e poashtu edhe në sektoret tjera.
Për të rritur diversitetin gjinor në sektorin e energjisë mendoj që femrat nuk duhet të hezitojnë të studiojnë në sektorin e energjisë dhe përmes ngritjes profesionale ato do ta dëshmojnë se janë të afta të punojnë dhe menaxhojnë në projekte të ndryshme në Sistemin Elektroenergjetik dhe në përgjithësi në sektorin e energjisë.


Labinot Gashi përfundoi studimet në vitin 2005 në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike – Departamenti i Elektroenergjetikës Industriale në Universitetin e Prishtinës, si dhe nga viti 2014 mban titullin Master në Shkencat e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike. Labinoti karrierën profesionale e filloi në Ministrinë e Energjisë dhe Minierave në pozitën shef Sektori për Zbatimin e Reformave në Sektorin e Energjisë dhe që nga viti 2007 punon në KOSTT ku aktualisht mban titullin Senior Specialist për Çështje Rregullative në kuadër të Departamentit për Çështje Rregullative dhe Tarifa, ku edhe është shpallur punëtor i dalluar në vitin 2011. Labinoti gjithashtu është edhe bashkë-autor në disa punime shkencore nga lëmi i energjetikës. 

1.Çfarë ju inspiron ju për të vazhduar punën në sektorin e energjisë/KOSTT? 

Sektori i energjisë prezantohet si një forcë orientuese ndaj ndryshimeve rrënjësore që ndodhin në zhvillimin dhe orientimin e jetës. Mund të themi që është sektori i vetëm që krijon sfida atraktive ku zgjidhja e së cilave kërkon një përkushtim dhe njohuri orientuese të veçant. Duke pasur parasysh që edhe në jetën personale jam i inkurajuar për të rrugëtuar drejt zhvillimeve që në të kaluarën kanë përcaktuar, por edhe në të ardhmën përcaktojnë zhvillimin kryesor të një shoqërie, sektori i energjisë është vendi ku mund ti arrish praktikisht njohuritë e tua teorike. Prandaj inspirohem të punoj në këtë sektor.
Në anën tjetër, përcaktimi që të vazhdosh karrierën në një kompani që është shembull i suksesit, të jep inspirim dhe të dhuron motivin e kërkuar për të ngjitur shkallët e karrierës. Prandaj, duke u nisur nga fakti që puna praktike ju ndihmon të zgjeroni rrethin dhe të rrisni probabilitetin për të gjetur njerëz që mund të ju inspirojnë, KOSTT është një kompani që të mundëson realizimin e qëllimeve dhe njohurive tua profesionale. Prandaj kam zgjedhur KOSTT.

2.Na tregoni ju lutem për një  projekt të veçantë/angazhim specifik apo sfidë me të cilën jeni përballur gjatë punës tuaj profesionale në sektorin e energjisë 

Procesi i integrimit të Burimeve të Ripërtëritshme të Energjisë (BRE) ka qenë dhe vazhdon të jetë një ndër aktivitetet kryesore jo vetëm në vend por edhe në rang botëror. Bashkimi Evropian (BE) i ka klasifikuar me një prioritet të veçant këto burime duke krijuar direktiva dhe procedura specifike si nga ana teknike ashtu edhe nga ajo rregullative. Në anën tjetër, Kosova si palë kontraktuese në Traktatin e Komunitetit të Energjisë ka marrë zotime ligjërisht të detyrueshme për ta zbatuar legjislacionin e energjisë të BE-së përmes transpozimeve të dispozitave të tij në bazën ligjore dhe rregullative vendore. 
Harmonizimi i Kodit të Rrjetit të KOSTT-it me atë të ENTSO-E konsiderohet si aktivitet i veçantë. Duke u mbështetur në vendimet e dala nga Grupi i Lartë Permanent i Komunitetit të Energjisë, në aktivitet grupor fillimisht janë transpozuar dispozitat relevante nga Rregulla 2016/1388 dhe Rregulla 2016/631 në Kodin e Rrjetit të KOSTT, me ç’rast është mundësuar baza ligjore për lehtësim të transmisionit dhe qasja në rrjet të energjisë elektrike. 
Përveç tjerash, procesi i integrimit fizik të BRE-ve në Rrjetin e Transmetimit të KOSTT paraqet një sfidë në vete duke kërkuar krijimin e një traseje rregullative transparente dhe të favorshme për palët tregtare gjegjësisht gjeneruesit. Kam qenë i kyçur në procesin e krijimit të bazës rregullative të KOSTT ku janë zhvilluar dhe amandamentuar dokumente si: Metodologjia e Taksave të Kyçjes në Rrjetin e Transmetimit, Procedurat për Kyçje në Rrjetin e Transmetimit, Procedurat për Energjizimin e BRE-ve në Rrjetin e Transmetimit si dhe Marrëveshjen për Kyçje. KOSTT veçohet si Operatori me bazë rregullative më të mirën në rajon për aspektet e trajtimit të kyçjeve dhe harmonizimit të bazës vendore rregullative me atë të BE-së.

3.A mendoni që roli dhe kontributi i të dy gjinive pa dallim është i rëndësishëm në sektorin e  energjisë dhe çka mendoni se duhet ndërmarrë për të rritur diversitetin gjinor në këtë sektor? 

Barazia gjinore është një ndër sfidat kryesore jo vetëm në Kosovë por edhe në nivel ndërkombëtar. Kosova çdo ditë është duke avancuar në zbatimin e barabartë të drejtave ndërmjet dy gjinive. Shpesh herë në nivel kombëtar Kosova ka marrë kritika që ndërlidhen me të drejtat gjinore, por aktualisht mendoj që ka një zhvillim pozitiv të theksuar në këtë aspekt, të drejtat gjinore (ato të femrave) kanë filluar të trajtohen edhe përmes dispozitave ligjore duke ju dhënë hapësirë të mjaftueshme institucionale. Në këtë aspekt KOSTT ka ndërmarrë hapa të theksueshëm me qëllim të zvogëlimit të ndasive gjinore dhe si i tillë është shembull vendor. Mund të them se pavarësisht aspektit gjinor aspiratat tua mund të arrihen në KOSTT nëse ti si synim kryesor e ke zhvillimin profesional dhe atë të karrierës përmes tejkalimit të sfidave profesionale.

Intervistat e fundit

#NeJemiKOSTT

#NeJemiKOSTT

#NeJemiKOSTT

#NeJemiKOSTT

#NeJemiKOSTT

#NeJemiKOSTT

#NeJemiKOSTT

#NeJemiKOSTT

#NeJemiKOSTT

#NeJemiKOSTT