#NeJemiKOSTT
Lendita Myderrizi përfundoi studimet në Fakultetin Teknik të Universitetit të Prishtinës, drejtimi i Arkitekturës dhe Ndërtimtarisë, në vitin 1986. Në po të njejtin vit, filloi punën si inxhinjere projektante në Ndërmarrjen Publike të Banimit në Pejë, ku u angazhua në projektimin dhe mbikqyrjen e mbi 15 objekteve të banimit kolektiv. Nga viti 1999 e tutje, I’u bashkangjit përpjekjeve për rindërtimin e shtëpive dhe objekteve shkollore të shkatërruara nga lufta si inxhiniere udhëheqëse e Organizatës Jo-qeveritare GOAL nga Irlanda. Detyrën si Menaxhere e Objekteve në KOSTT e ka filluar nga viti 2007.
1.Çfarë ju inspiron për të vazhduar punën në sektorin e energjisë/KOSTT?
Rruga ime drejt sektorit të energjisë është e ndërlidhur ngushtë me pasionin dhe profesionin tim të arkitekturës. Si çdo proces tjetër, transmisioni i energjisë elektrike në prapavijë kërkon edhe shumë inpute dhe parakushte tjera që e mundësojnë këtë shërbim, përfshirë këtu hapësirat dhe konstrucionet adekuate për operimin e pajisjeve, mundësimin e një ambienti të duhur pune për personelin, por edhe krijimin e hapësirave që mundësojnë shfrytëzimin efikas të energjisë nga vet operatori. Kjo edhe ka shtruar rrugën që unë si inxhiniere e arkitekturës të angazhohem në këtë sektor.
Së pari, besoj se çdo individ ndjehet i inspiruar kur puna e saj/tij ka domethënie dhe rezulton në përmirësime të prekshme. Për shembull, të jesh pjesë e menaxhimit të shërbimeve mështetëse në KOSTT do të thotë të jesh në shërbim të kolegëve tanë që edhe natën e Vitit të Ri janë në krye të detyrës, edhe në terrene të vështira, e nganjëherë duke rrezikuar edhe jetën e tyre, për të ofruar shërbimin kualitativ – dhe kjo për mua është shumë motivuese. Në të njejtën kohë, më inspiron fakti se në KOSTT kemi arritur bashkërisht të krijojmë një kulturë korporative që shërben si model për funksionimin e duhur të një ndërmarrjeje publike. Përfundimisht, në KOSTT po synojmë aplikimin e standardeve më të larta të shfrytëzimit efiçient të energjisë në ndërtesa, përkundër moshës apo kualitetit të trashëguar të objekteve. Sfida dhe dëshira për ta arritur këtë synim më motivon shumë në punën time të përditshme.
2.Na tregoni ju lutem për një projekt të veçantë/angazhim specifik apo sfidë me të cilën jeni përballur gjatë punës tuaj profesionale në sektorin e energjisë ?
Largimi i materialeve me rrezikshmëri të lartë, siç është azbesti, nga ndërtesat tona ka qenë një nga projektet më sfiduese pasi që ndërlidhej direkt me shëndetin dhe mirëqenien e kolegëve tanë, por edhe atë të komunitetit. Ndjehem krenare që kam qenë pjesë e kësaj pune ekipore.
Në të njëjtën kohë, renovimi i selisë së KOSTT përderisa operimi i ndërmarrjes dhe i vet rrjetit të transmisionit ka vazhduar në po të njëjtin objekt, ishte një sfidë e jashtëzakonshme menaxheriale. Megjithatë, ndjehem krenare që një projekt i tillë ka përfunduar me sukses dhe duke evituar koston për rilokimin e ndërmarrjes gjatë procesit të renovimit.
3.A mendoni që roli dhe kontributi i të dy gjinive pa dallim është i rëndësishëm në sektorin e energjisë dhe çka mendoni se duhet ndërmarrë për të rritur diversitetin gjinor në këtë sektor?
Rritja e pjesëmarrjes së gruas në tregun e punës në Kosovë është gjithsesi e nevojshme për shumicën e sektorëve, por sidomos për fushat ku ekzistojnë paragjykime gjinore, siç është energjia apo ndërtimtaria. Vajzat tona duhet të dinë se nuk ka “punë burrash” apo “punë grash,” por vetëm punë që përfundimisht gjykohen nga kualiteti e përcaktohen nga përkushtimi i individit të cilësdo gjini. Përfshirja e femrave në sektorin e energjisë duhet të shihet si mundësi për të përmirësuar diversitetin e njohurive, dhe jo vetëm diversitetin gjinor.
Ne duhet të punojmë që në nivel familjar të thehen këto paragjykime gjinore për “profesionet e përshtatshme për gruan”. Në fusha si energjia apo menaxhimi i objekteve/arkitektura dhe ndërtimtaria, kemi edhe shembuj më të hershëm, qysh nga vitet e ’60-ta, të grave që kanë sfiduar këto paragjykime kur ato ishin edhe më kufizuese, dhe promovimi i tyre mund të shfrytëzohet si mjet vetëdijësimi. Edhe si profesioniste e angazhuar në sektor, mendoj se mund të japim më shumë për vetëdijësimin përmes shembullit ndaj këtyre paragjykimeve, p.sh. përmes organizimeve të ditëve të karrierës në shkolla, apo vizitave shkollore në një institucion si KOSTT (ku përfaqësimi gjinor është dukshëm më i barabartë).
Lulzim Shahini përfundoi studimet në lëmin e ekonomisë dhe mban titullin Master në Menaxhment dhe Informatikë. Rrugëtimin në sektorin e energjisë e filloi në shkurt të vitit 2007 si zyrtar i burimeve njerëzore në kuadër të Departamentit të Burimeve Njerëzore në KOSTT , ndërsa aktualisht mban pozitën Specialist për analizë dhe planifikim të burimeve njerëzore.
1.Çfarë ju inspiron për të vazhduar punën në sektorin e energjisë/KOSTT?
Duke konsideruar rëndësinë e sektorit të energjisë në zhvillimin e ekonomisë së vendit tonë e në veçanti rëndësinë dhe rolin që mban KOSTT në këtë drejtim, zhvillimi i sistemit të transmetimit të energjisë elektrike që nga themelimi e deri me sot dhe sfidat dhe sukseset e arritura me një kapital njerëzor profesional të bënë që të ndjehesh mirë që je pjesë e kësaj familje dhe njëkohësisht i inspiruar për të vazhduar punën në rrugëtimin e mëtejmë të KOSTT-it.
2.Na tregoni ju lutem për një projekt të veçantë/angazhim specifik apo sfidë me të cilën jeni përballur gjatë punës tuaj profesionale në sektorin e energjisë ?
Që nga periudha e punësimit në KOSTT kam qenë i angazhuar në projekte të ndryshme brenda burimeve njerëzore, dhe me këtë rast do të veçoja projektet për zhvillime të aplikacioneve elektronike të Burimeve Njerëzore. Këto aplikacione karakterizohen si aplikacione që duhet të zhvillohen vazhdimisht duke i’u përshtatur zhvillimeve të KOSTT-it si dhe të teknologjisë së informacionit. Si të tilla ato kërkojnë një angazhim individual dhe ekipor të sferave të ndryshme për të hulumtuar, pranuar, analizuar, dhe implementuar kërkesat dhe nevojat e punëtorëve. E gjithë kjo zhvillohet në një mjedis ku shkëmbehen ide, paraqiten sfida qoftë teknike apo materiale, komunikime të vazhdueshme etj. me të vetmin qëllim për të qenë sa më afër punëtorit si dhe arritjes së rezultateve sa më të mira. Prandaj, veçova këto projekte ku përvoja në përballje me zgjidhje të problemeve në mënyrë ekipore rezulton në zgjidhjet më të mira.
3.A mendoni që roli dhe kontributi i të dy gjinive pa dallim është i rëndësishëm në sektorin e energjisë dhe çka mendoni se duhet ndërmarrë për të rritur diversitetin gjinor në këtë sektor?
Pa dyshim se kontributi i të dy gjinive është i rëndësishëm në sektorin e energjisë e me këtë edhe në KOSTT. Një ndër objektivat strategjike në planin e biznesit të KOSTT është edhe barazia gjinore, dhe mendoj se hartimi i politikës së veçantë për barazi gjinore dhe mos diskriminim do të kontribuoj në rritjen e diversitetit gjinor në këtë sektor.