#NeJemiKOSTT
Ganimete Sahiti-Ahmetaj, ka përfunduar studimet dhe masterin në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti Ekonomik drejtimi Banka, Financa dhe Kontabilitet. Rrugëtimin në Sektorin e Energjisë e filloi në shkurt të vitit 2011, fillimisht si praktikante në periudhë 1 vjeçare dhe pastaj në pozitën Specialiste për Llogari të Pagueshme dhe të Arkëtueshme. Nga viti 2020 ajo mban pozitën Menaxhere e Sektorit të Kontabilitetit në kuadër të Departamentit të Financave.
1.Çfarë ju inspiron ju për të vazhduar punën në sektorin e energjisë/KOSTT?
Të qenurit pjesë e këtij sektori është shumë e rëndësishme për mua, duke pasur parasysh rëndësinë e energjisë në aspektin social dhe ekonomik. KOSTT është model e një ndërmarrjeje që ofron mundësi të avansimit profesional, përkrah talentët e rinj, si dhe e përkushtuar për zhvillim dhe trajnime të stafit. Prandaj të qenurit pjesë e KOSTT për mua është privilegj. Puna në disa periudha është shumë stresuese, pasi që në një afat të shkurtër duhet të përfundohen raportet financiare me të gjitha specifikat e tyre, mirëpo bashkëpunimi me kolegë profesional dhe vlerësimi nga menaxhmenti më motivon të vazhdoj punën dhe të jap kontributin tim maksimal në zhvillimin dhe mbarëvajtjen e kompanisë.
2.Na tregoni ju lutem për një projekt të veçantë/angazhim specifik apo sfidë me të cilën jeni përballur gjatë punës tuaj profesionale në sektorin e energjisë
Puna në sektorin e kontabilitetit është sfidë në vete, është përgjegjësi, kjo duke pasur parasysh që duhesh të jesh çdoherë e përditësuar me ndryshimet që ndodhin në ligjet, rregullativat dhe standardet që ne raportojmë. Të punosh në financa në sektorin energjetik, përveç njohurive të financave, duhet të kesh njohuri dhe nga fusha e inxhinierisë, pra është bashkë-dyzim i njohurive që duhet patjetër t`i posedosh duke e ditur që të dhënat financiare janë element i rëndësishëm në marrjen e vendimeve të duhura financiare. Çdo projekt që realizohet në KOSTT, implementohet nga ana financiare në Departamentin e Financave, si projekt më të veçantë për trajtimin e tij do ta kisha cekur Linjën Interkonektive 400kV Kosovë-Shqipëri sepse është projekti i parë i financuar përmes Marrëveshjes me Institucione Financiare Ndërkombëtare dhe është financuar nga tri burime të financimit (Kredi, grant dhe mjete vetanake të KOSTT). Aktiviteti i punës sime në financa dhe kontabilitet i ka sfidat e veta të veçanta dhe falë angazhimit dhe përkushtimit tim 10 vjeçar në KOSTT arrita që të avansohem në pozitën menaxheriale në departamentin e financave.
3.A mendoni që roli dhe kontributi i të dy gjinive pa dallim është i rëndësishëm në sektorin e energjisë dhe çka mendoni se duhet ndërmarrë për të rritur diversitetin gjinor në këtë sektor?
Roli dhe kontributi i dy gjinive është shumë i rëndësishëm, si në çdo sektor tjetër ashtu edhe në sektorin e energjisë, pasi që diversiteti gjinor ndikon edhe në performancën e kompanisë nga aspekti i rritjes ekonomike, cilësisë në vendimmarrje dhe poashtu qeverisjes së kompanisë.
Fatmirësisht KOSTT i kushton rendësi të veçantë mbështetjes dhe ngritjes profesionale të të dy gjinive pa dallim dhe mendoj që duhet të vazhdohet në këtë frymë, e sidomos me përkrahjen e gjinisë femërore, pasi që ato munden dhe duhet të jenë pjesë e vlefshme e sektorit të energjisë.
Nazif Nazifi përfundoi studimet në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike në Universitetin e Prishtinës, drejtimi “Sisteme Elektroenergjetike”. Rrugëtimi i tij në sektorin e energjisë ka filluar më herët, por angazhimi i tij në mënyrë profesionale ka filluar pas diplomimit kur edhe është punësuar në KOSTT si inxhinier për testim, mirëmbajtje dhe akordim të releve. Gjatë këtyre viteve është angazhuar në shumë projekte që janë realizuar në KOSTT, qoftë si specialist në projekte apo në komisione për pranime teknike, të cilat si detyra kanë sfidat dhe përgjegjësitë e veta. Aktualisht Nazifi mban pozitën Senior Inxhinier në Sektorin e Mbrojtjeve Rele.
- Çfarë ju inspiron ju për të vazhduar punën në sektorin e energjisë/KOSTT?
Sektori i energjisë ka impakt të madh në një shoqëri të zhvilluar, prandaj ti takosh me profesion këtij sektori është përgjegjësi. Zgjedhjen e profesionit nganjëherë ta imponojnë rrethanat mirëpo kur fillon të merresh profesionalisht me te, kur sheh se puna jote është e dobishme për të tjerët, takon njerëz që të ndihmojnë ose që ju ndihmon atëherë gjenë edhe inspirim për të vazhduar. KOSTT si kompani gjithmonë i ka mbështetur dhe vazhdon ti mbështet kuadrot e veta, prandaj të punosh në KOSTT është së pari përgjegjësi e pastaj edhe privilegj. Ky është inspirim shtesë që të merresh me sektorin e energjisë.
- Na tregoni ju lutem për një projekt të veçantë/angazhim specifik apo sfidë me të cilën jeni përballur gjatë punës tuaj profesionale në sektorin e energjisë
Kur kam filluar punën në KOSTT rreth 90% e mbrojtjeve rele (por edhe pajisjet tjera) kanë qenë të vjetra elektromekanike ose në rastin më të mire elektrostatike. Sot pas 14 viteve, mbi 95% të pajisjeve i kemi digjitale automatike dhe të jesh pjese e gjithë këtij transformimi vërtet është sfiduese. Të gjitha projektet i kanë vështirësitë e veta por renovimet e nënstacioneve vërtet kanë qenë sfidë në vete. Do të veçoja rehabilitimin e NS Kosova B dhe NS Prishtina 4 (2008-2009) si dhe NS Kosova A (2010-2011) dhe NS Prizreni-2 (2013-2014) pas përfundimit të të cilëve sistemi ynë i transmetimit është shumë më stabil. Dhe unë jam krenar që kam qenë edhe unë pjesë e këtyre projekteve.
- A mendoni që roli dhe kontributi i të dy gjinive pa dallim është i rëndësishëm në sektorin e energjisë dhe çka mendoni se duhet ndërmarrë për të rritur diversitetin gjinor në këtë sektor?
Roli dhe kontributi i dy gjinive pa dyshim se është i rëndësishëm në sektorin e energjisë dhe jo vetëm, prandaj ne si shoqëri duhet bërë përpjekje që paragjykimet eventuale ti largojmë, dhe t’u krijohet hapësirë e mundësi të gjithëve pa dallim. Mendoj se KOSTT në masë e ka plotësuar diversitetin gjinor, e kjo duhet ruajtur e plotësuar.