#NeJemiKOSTT


6/30/2023

Efije Sadiku përfundoi studimet në fakultetin ekonomik në Universitetin e Prishtinës në vitin 1987, dhe menjëherë pas diplomimit iu ofrua mundësia për t’u punësuar në Korporatën Energjetike të Kosovës në Divizionin e Elektrobartjes, dhe që nga ajo kohë për 36 vite i ka qëndruar besnike kompanisë e cila i dha mundësi për tu zhvilluar si dhe për tu pavarësuar që në moshë të re. 

1.    Na tregoni ju lutem pak rrugëtimin tuaj profesional si dhe kontributin tuaj në sektorin e energjisë apo në KOSTT?   
Jam krenare të ndaj me gjithë juve rrugëtimin tim profesional dhe kontributin tim në sektorin e energjisë përkatësisht në KOSTT si një grua rol model në Departamentin e Financave-Sektorin e Trezorit.
Fillimisht punën e kam filluar si specialiste në Departamentin e Financave, duke marrë përsipër detyra të rëndësishme. Me kalimin e kohës dhe angazhimin tim të palodhur, në vitin 2020 arrita të avancohem dhe të marr përgjegjësi shtesë ku mu besua pozita e Menaxheres së Sektorit të Trezorit. 
Kjo pozitë më dha mundësi shtesë për të kontribuar në zhvillimin e Departamentit të Financave përkatësisht në Sektorin e Trezorit duke kontribuar edhe në  përmirësim të performancës financiare të kompanisë. Gjatë punës në vazhdimësi kam tentuar të ngris reputacionin e kompanisë ndërsa përmes trajnimeve të shumta kam ndihmuar në ngritjen e punonjësve të tjerë në departamentin e financave, duke tentuar ti përgadis ata për sfidat dhe mundësitë që ofron sektori i energjisë. Përveç kësaj, kam bashkëpunuar ngushtë me gjithë stafin e kompanisë me qëllim të mbarëvajtjes së punës.

Për mua, të qenit një rol model do të thotë të jap kontributin tim më të mirë për të nxitur profesionalizmin dhe performancën e lartë në departamentin e financave në sektorin e energjisë. Përmes ndihmës dhe inkurajimit të punonjësve të rinjë kam synuar të krijoj një mjedis të frytshëm të punës dhe të promovoj aftësitë e tyre për të arritur sukses në karrierë.

2.    Çfarë hapash apo veprimesh mendoni se duhet të ndërmerren për të rritur diversitetin gjinor dhe për të krijuar një mjedis më gjithëpërfshirës në sektorin e energjisë?
Si punonjëse me përvojë shumëvjeçare në këtë sektor, kam besimin se diversiteti gjinor sjell vlerë të shtuar dhe mundëson inovacion. Në rrugëtimin tim profesional kam pasur privilegjin të përjetoj ndikimin e një mjedisi  gjithëpërfshirës, për mua kontributi im ka qenë në krijimin e një kulture të hapur dhe të ndjeshme ndaj ndryshimeve në sektorin tonë. Gjatë kohës së punës sime kam inkurajuar rekrutimin e personelit me përvojë dhe kompetencë të ndryshme, duke i dhënë rëndësi ekuilibrit gjinor. Kam bashkëpunuar me kolegët për të zhvilluar trajnime dhe programe të specializuara që promovojnë barazinë gjinore. Në vazhdimësi jam përpjekur dhe vazhdoj të jap kontributin tim për të krijuar një kulturë më gjithëpërfshirëse dhe të ndjeshme ndaj diversitetit gjinor. 

Në fund, duke u përqendruar në sensibilizim dhe ndërgjegjësim të gjithë personelit ne mund të krijojmë një mjedis ku secili nga ne ndjehet i vlerësuar si dhe i përfshier në mënyrë të barabart.


3.    Cili do të ishte mesazhi juaj për të rinjtë të cilët synojnë zhvillimin e karrierës në sektorin e energjisë?
Sektori i energjisë është një sektor dinamik dhe me plot sfida por njëkohësisht është një sektor që ofron shumë mundësi për ngritje  personale dhe profesionale. Të rinjtë dhe të rejat duhet të jenë të hapur ndaj sfidave të reja dhe të gatshëm për të mësuar gjatë gjithë rrugëtimit të tyre.

Karriera në sektorin e energjisë është një rrugë e shkëlqyeshme për të ndikuar pozitivisht në të ardhmen e shoqërisë dhe mjedisit tonë, andaj i inkurajoj të rinjët dhe të rejat të mos hezitojnë të ndjekin ëndrrat e tyre,  pasionin e tyre dhe të punojnë për tu bërë pjesë e një industrie që po ndryshon botën

 


 

Rexhep Selimi, ka përfunduar studimet themelore në Fakultetin e Elektroteknikës në Universitetin e Prishtinës dhe ka marr titullin “Inxhinier i Diplomuar i Elektroteknikës” në drejtimin “Sisteme Elektroenergjetike”(2004). Në vitin 2006, ka filluar punën në KEK në cilësinë e Inxhinierit lokal në kuadër të projektit “CMMS - Menaxhimi i Kompjuterizuar i Sistemit të Mirëmbajtjes” të financuar nga Agjencia Evropiane për Rindërtim (AER), me theks të veçantë për krijimin e bazës së të dhënave teknike të pajisjeve për zhvillimin e Modulit të ri për Menaxhim të Aseteve të Gjenerimit në KEK. Në fillim të vitit 2007, është punësuar në KOSTT, ku fillimisht ka filluar punën si Inxhinier Praktikant, për të vazhduar pastaj në vitin 2008 në pozitën “Inxhinier për Kalibrim” në Sektorin e Matjeve në kuadër të Departamentit të Operatorit të Sistemit, ndërsa në vitin 2010 u emërua në pozitën Inxhinier Specialist për Matje. Nga viti 2018 e tutje mban pozitën e Menaxherit të Sektorit të Matjeve. Është aktiv në organizatën vendore profesionale që njihet si Komiteti Nacional CIGRE Kosovë, ku nga viti 2022 mban edhe pozitën e Sekretarit, si dhe herë pas here publikon punime të ndryshme profesionale në konferenca të CIGRE që organizohen brenda dhe jashtë vendit nga lëmi i sektorit të energjisë elektrike.

1.      Na tregoni ju lutem pak rrugëtimin tuaj profesional si dhe kontributin tuaj në sektorin e energjisë apo në KOSTT?  

Rrugëtimi i vërtet profesional i imi ka filluar që nga viti 2007, atëherë kur edhe kam filluar punën në KOSTT. Edhe pse, para se të filloja punën në KOSTT, kam pasur një përvojë të shkurtë në KEK, fillimi i punës në KOSTT, duke filluar që nga natyra e punës në profesion, pastaj ambientet e punës, mikpritja nga kolegët, e deri te mundësitë e vazhdueshme për avancim profesional, kanë qenë ato që mua më janë përshtatur shumë. Përveç kësaj, ngritja e vazhdueshme profesionale në KOSTT përmes trajnimeve të ndryshme nuk ka munguar asnjëherë, ku si pjesë e gjeneratave të reja të inxhinierëve aso kohe jemi rrit profesionalisht paralel me rritjen dhe ngritjen e KOSTT.

Pjesëmarrja dhe kyçja e drejtpërdrejtë në shumë projekte të KOSTT sado që ka qenë sfidë gjithashtu ka qenë edhe mundësi shtesë shumë e mirë për t’i rritur njohuritë profesionale, e posaçërisht në fushën e matjeve elektrike. Të gjitha këto kanë bërë që më pas të jap kontribut të çmuar dhe efikas së bashku edhe me kolegët tjerë për përmirësimin e gjendjes së sistemeve matëse në rrjetin transmetues të KOSTT në kuadër të projekteve investuese që janë realizuar në periudha të ndryshme kohore, pastaj përdorimin e teknologjive të reja që lidhen me sistemet matëse, përdorimin e instrumenteve të reja testuese të njehsorëve, si dhe instalimin e sistemit të avancuar të qendrës për Leximin Automatik të Njehsorëve (AMR) nga distanca. Sistemet matëse që aktualisht janë të instaluar në rrjetin transmetues të KOSTT janë të teknologjisë moderne, që përveç saktësisë që ofrojnë janë shumë herë më të mira dhe të sigurta sesa sistemet matëse në shumë vende fqinje. Kjo ka bërë që KOSTT sot të jetë lider rajonal nga aspekti i teknologjisë së sistemeve matëse që janë të instaluar në rrjetin transmetues.

Prandaj, në gjithë këto 16 vite përvojë dhe karrierë profesionale në KOSTT ndihem i plotësuar nga aspekti profesional dhe sot vazhdoj ta bëj punën time me krenari dhe përkushtim shumë të madh, duke kontribuar kështu edhe në përgatitjen e gjeneratave të reja të inxhinierëve me të cilët punoj çdo ditë.  

2.      Çfarë hapash apo veprimesh mendoni se duhet të ndërmerren për të rritur diversitetin gjinor dhe për të krijuar një mjedis më gjithëpërfshirës në sektorin e energjisë?

Mendoj se për rritjen e diversitetit gjinor, është e rëndësishme të ndërmerren hapa dhe veprime efikase për të siguruar barazi dhe pjesëmarrje të barabartë për të dy gjinitë në të gjitha fushat, duke përfshirë edhe fushën e sektorit të energjisë. Kompanitë dhe institucionet në sektorin e energjisë në Kosovë duhet të zhvillojnë politika të qarta dhe të përcaktuara për të promovuar diversitetin dhe përfshirjen e tyre në një mjedis të barabartë dhe gjithëpërfshirës. Këto politika duhet të trajtojnë çështjet e barazisë në punësim, pjesëmarrjen në vendimmarrje dhe krijimin e qëndrueshëm të një kulture të përfshirjes. Mendoj që KOSTT sot është në rrugë të drejtë për të arritur synimet për një diversitet gjinor dhe të barabartë, si dhe për të krijuar një mjedis gjithëpërfshirës të qëndrueshëm për të gjithë punonjësit

3.      Cili do të ishte mesazhi juaj për të rinjtë të cilët synojnë zhvillimin e karrierës në sektorin e energjisë?

Sektori i energjisë është në zhvillim të shpejtë dhe ka nevojë për mendim të freskët dhe për zgjidhje kreative për të përmirësuar efiçiencën e energjisë, si dhe për të ndihmuar dhe zgjeruar përdorimin e burimeve të ripërtritshme, prandaj investoni në edukimin tuaj edhe pasi të përfundoni studimet themelore dhe vazhdimisht kërkoni njohuri të reja teknike dhe profesionale të specializuara në sektorin e energjisë.

Intervistat e fundit

#NeJemiKOSTT

#NeJemiKOSTT

#NeJemiKOSTT

#NeJemiKOSTT

#NeJemiKOSTT

#NeJemiKOSTT

#NeJemiKOSTT

#NeJemiKOSTT

#NeJemiKOSTT

#NeJemiKOSTT