#NeJemiKOSTT
Dafina Morina, ka përfunduar studimet themelore në Universitetin Ilira, në Fakultetin Ekonomik, drejtimi Banka, Financa dhe Kontabilitet në vitin 2012. Rrugëtimin profesional në sektorin e energjisë e ka filluar në vitin 2011 fillimisht si Asistente e Drejtorëve të Departamenteve në KOSTT, ku kreu detyrat me entuziazmin maksimal. Dafina aktualisht mban pozitën e Asistentes Ekzekutive të Kryeshefit Ekzekutiv në KOSTT.
Na tregoni ju lutem pak rrugëtimin tuaj profesional si dhe kontributin tuaj në sektorin e energjisë apo në KOSTT?
Pas një përvoje disa vjeçare në KOSTT, kam pasur rastin të angazhohem në shumë sfida të përditshme dhe çështje të rëndësishme në sektorin e energjisë. Gjatë kësaj periudhe, kam pasur mundësinë të jap kontributin tim dhe njëkohësisht të përfitoj njohuri në aspektin profesional si nga aspekti i projektimit dhe planifikimit, menaxhimit të projekteve, punës ekipore, ngritjes graduale a po ashtu edhe ndërlidhjes me shumë kompani e organizata si vendore ashtu edhe ndërkombëtare, duke qene gjithnjë një urë lidhëse në pozitën time. Përvoja ime në sektorin e energjisë ka qenë një rrugëtim emocionues dhe mësimor, ku kam pasur mundësinë të kontribuoj në përmirësimin e infrastrukturës së energjisë dhe në përhapjen e energjisë së rinovueshme. Në të njëjtën kohë, kam pasur sfida të cilat më kanë ndihmuar të zhvillohem si profesionist dhe të përdor aftësitë e mia për zgjidhjen e problemeve komplekse në këtë fushë.
Çfarë hapash apo veprimesh mendoni se duhet të ndërmerren për të rritur diversitetin gjinor dhe për të krijuar një mjedis me gjithëpërfshirës në sektorin e energjisë?
Promovimi i diversitetit gjinor dhe krijimi i një mjedisi gjithëpërfshirës në sektorin e energjisë është mision i rëndësishëm për të ndërtuar një industri më të qëndrueshme, inovative dhe të ekuilibruar. Ndërprerja e barrierave të shtrira në sektor është një hap i madh drejt një sektori të hapur dhe të drejtë. Në këtë drejtim, këto janë disa hapa të mundshëm që mund të ndërmerren për t'i arritur këto qëllime:
- Krijimi i politikave dhe rregulloreve që inkurajojnë barazi gjinore dhe parandalimin e diskriminimit në vendin e punës.
- Hartimi i politikave që përfshijnë rritjen e numrit të grave në pozita udhëheqëse.
- Krijimi i mekanizmave të monitorimit për të ndjekur përqindjen e grave dhe personave të minoriteteve në sektorin e energjisë dhe për të ndërmarrë masa kur përqindjet janë të ulëta.
- Përdorimi i ndonjë lloji të rregullatorit për të detyruar kompanitë të raportojnë mbi diversitetin gjinor dhe të ndërmarrin hapa për të përmirësuar atë.
- Përforcimi i Kulturës Organizative,
- Krijimi i një mjedisi të punës ku respektohet dhe inkurajohet diversiteti, dhe ku çdo person ndjehet i vlerësuar dhe i dëgjuar,
- Krijimi i partneriteteve me organizata të shoqërisë civile, institucione të arsimit, dhe organizata ndërkombëtare për të përkrahur përpjekjet për diversitet dhe gjithë përfshirje në sektorin e energjisë.
Cili do të ishte mesazhi juaj për te rinjtë të cilët synojnë zhvillimin e karrierës në sektorin e energjisë?
Mesazhi im për të rinjtë që dëshirojnë të ndërtojnë një karrierë në sektorin e energjisë drejt një të ardhmeje të ndritur në fushën e energjisë, të shfrytëzojnë si mundësi sepse sektori i energjisë është një fushë me shumë potencial dhe sfida të mëdha.
Në rrugën drejt suksesit, edukimi është thelbësor në zhvillimin tuaj. Çdo hap që do të merrni do të jetë një investim në vetën tuaj dhe në mundësitë që do të ju ofrohen. prandaj mos nguroni të përqendroheni në zgjerimin e njohurive tuaja, në mësimet teknike, inxhinierike, mjedisore dhe menaxheriale. Kjo të aftëson për të sfiduar dhe përballur me sukses çdo pengesë në sektorin energjetik.
Ndërtimi i një karriere në energji, nuk është vetëm përfitim për ju, por ju gjithashtu do të jeni pjesë e ndryshimeve pozitive. Çdo ndryshim i vogël që sjellni, çdo inovacion dhe zgjidhje të re që kontribuoni do të jetë një ndihmesë në ndryshime të mëdha.
Taulant Aliu, ka përfunduar studimet themelore në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike – Drejtimi Sistemet Elektroenergjetike në vitin 2013 dhe studimet Master në Drejtimin e Elektroenergjetikës në vitin 2020. Rrugëtimin profesional në sektorin e energjisë e ka filluar në vitin 2013 në projekte të ndryshme në Sistemin e Transmisionit ndërsa pjesë e KOSTT është nga viti 2018, ku tani ushtron detyrën e Inxhinierit për testim, mirëmbajtje dhe akordim të releve. Nga tetori i vitit 2023, do t’i filloj studimet në Universitetin e Oldenburgut në programin European Master in Renewable Energy me specializim për integrimin e burimeve te ripërtërishme të energjisë në sistemin e transmisionit dhe distribucionit.
Na tregoni ju lutem pak rrugëtimin tuaj profesional si dhe kontributin tuaj në sektorin e energjisë apo në KOSTT?
Rrugëtimin tim profesional në sektorin e energjisë e kam nisur një dekadë më parë dhe ka pasur një përqendrim të theksuar në fushën e transmisionit, veçanërisht në projekte të zhvillimit të infrastrukturës të sistemit të transmisionit të energjisë elektrike. Kam pasur rastin të jem pjese e projekteve të rëndësishme si site inxhinier në rehabilitimin e nënstacioneve të nivelit 110kV (NS Gjakova 1, NS Gjakova 2 dhe NS Prizreni 3), rehabilitimi i linjës 110kV LP1806/1 (NS Gjakova 1 – NS Gjakova 2) si dhe instalimin e linjave kabllore në kaskadën e Deçanit. Si projekt madhor vlen të theksohet projekti i ndërtimit të linjës 400kV mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, ku kam qenë i angazhuar si site menaxher për implementimin e montimit të shtyllave të linjës.
Pjesë e KOSTT jam që nga viti 2018, fillimisht në sektorin e matjeve dhe më pas nga korriku i vitit 2019 në sektorin e mbrojtjeve rele në kuadër të Departamentit të Operatorit të Transmisionit si Inxhinier për testim, mirëmbajtje dhe akordim të releve. Puna në KOSTT me ka dhënë mundësinë për ngritjen e njohurive profesionale, e posaçërisht në fushën e mbrojtjeve rele të gjitha këto kanë bërë që më pas të jap kontribut të çmuar dhe efikas së bashku edhe me kolegët tjerë për optimizmin e gjendjes së mbrojtjeve rele dhe ngritjen e sigurisë dhe stabilitetit të sistemit elektroenergjetik të Kosovës.
Çfarë hapash apo veprimesh mendoni se duhet të ndërmerren për të rritur diversitetin gjinor dhe për të krijuar një mjedis më gjithëpërfshirës në sektorin e energjisë?
Besoj se janë të nevojshme hapa dhe veprime konkrete për të rritur diversitetin gjinor dhe për të krijuar një mjedis më gjithëpërfshirës në sektorin e energjisë. Krijimi i fushatave edukative dhe ndërgjegjësuese që inkurajojnë rritjen e diversitetit, zhvillimi i politikave të punësimit që inkurajojnë përfshirjen e grave, ofrimin e mundësive të trajnimeve dhe zhvillimit profesional që synojnë ngritjen e aftësive profesionale të grave. Është e rëndësishme të punohet vazhdimisht në këtë drejtim për të krijuar një sektor të energjisë më gjithëpërfshirës dhe të diversifikuar.
Cili do të ishte mesazhi juaj për të rinjtë të cilët synojnë zhvillimin e karrierës në sektorin e energjisë?
Mesazhi im për të rinjtë që synojnë zhvillimin e karrierës në sektorin e energjisë është të mos hezitojnë të ndjekin pasionin e tyre dhe të jenë të gatshëm për të mësuar dhe për të punuar shumë. Në sektorin e energjisë ka shumë mundësi për rritje dhe inovacion, dhe ju mund të keni ndikim të madh në të ardhmen e energjisë së qëndrueshme. Mos u trembni të merrni sfida dhe të eksploroni fusha të ndryshme të sektorit të energjisë. Gjithashtu, përqendrohuni në zhvillimin e aftësive teknike dhe të menaxhimit, si dhe në përmirësimin e aftësive për të punuar në ekip. Të rinjtë kanë potencial të madh për të bërë ndryshime pozitive në sektorin e energjisë, kështu që mos ngurroni të ndiqni ëndrrat tuaja dhe të punoni për të arritur suksesin.