#NeJemiKOSTT
Burbuqe Hasani ka përfunduar studimet themelore në vitin 2007 drejtimin Sistemet Elektroenergjetike dhe më pas në vitin 2018 përfundoi studimet master në Programin Elektroenergjetikë në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike pranë Universitetit të Prishtinës. Në vitin 2007 filloi punën në KOSTT ku aktualisht nga korriku i vitit 2020 mbanë pozitën Menaxhere e Sektorit për Operim në Treg pranë Departamentit të Operatorit të Tregut.
1. Na tregoni ju lutem pak rrugëtimin tuaj profesional si dhe kontributin tuaj në sektorin e energjisë apo në KOSTT?
Rrugëtimi im profesional ka filluar me punësimin tim në KOSTT, fillimisht si Inxhinier për Operimin e Tregut dhe më pas si Inxhinier Specialist. Gjatë kësaj periudhe, kam fituar një përvojë të gjatë dhe të vlefshme në fushën e inxhinierisë elektrike dhe tregut të energjisë elektrike.
Në vitin 2020, kam marrë detyrën e Menaxherit të Operimit të tregut. Kjo detyrë ka kërkuar një aftësi të veçantë për të menaxhuar dhe koordinuar operimet e tregut të energjisë elektrike në mënyrë efikase.
Puna në Sektorin për Operim të Tregut është shumë sfiduese dhe dinamike. Dinamika e këtij sektori ka të bëjë me faktin që tregu ndryshon shpesh dhe është i ndikuar nga shumë faktorë të ndryshëm, përfshirë ekonominë globale, politikat dhe strategjinë e qeverisë dhe vendimet e rregullatorit. Kjo detyrë kërkon nga profesionistët e kësaj fushë të jenë të gatshëm të përshtaten shpejt dhe të marrin vendime të duhura në kohë reale që të sigurojë që tregu të funksionojë në përputhje me Rregullat e Tregut dhe standardet e përcaktuara sipas ENTSO-E.
Gjatë përvojës time 16 vjeçare në KOSTT kam qenë e angazhuar në shumë projekte dhe grupe punuese. Një ndër përvojat më sfiduese që ka ndikuar në ngritjen time profesionale ka qenë angazhimi im në rrugëtimin e KOSTT për të u bëre Zonë e Pavarur Rregulluese brenda Bllokut Rregullues me Shqipërinë, duke qenë e angazhuar në kryerjen e testimeve të procesit të Skedulimit me OST-të fqinje, SEE CAO dhe Swiss Grid, testim i cili me sukses është kryer sa herë që është kërkuar.
Kontributi im në sektorin e energjisë ka vazhduar duke qenë e angazhuar në projektin për operacionalizimin e tregut të organizuar një ditë para dhe brenda ditës në zonën ofertuese të Kosovës dhe bashkimin e tregut Kosovë-Shqipëri (ALPEX), treg që pritet të funksionalizohet së shpejti. Gjithashtu kontributi im vazhdon të jetë pjesëmarrja në grupin punues lidhur me transpozimin e legjislacionit të pakos së re të Komunitetit të Energjisë në legjislacionin sekondar si dhe në grupin punues për themelimin e entitetit për menaxhimin e Aktivitetit shumë funksional të Ruajtjes së Energjisë (MFES) e përcaktuar me Marrëveshjen Kompakt të Sfidave të Mijëvjeçarit dhe Marrëveshjen për Implementimin e Programit.
Aktualisht mbajë edhe pozitën e anëtares së Bordit të Drejtorëve të Zyrës Rajonale pë Alokimin e Kapaciteteve Ndëkufitare SEE CAO, ku KOSTT është aksionar dhe marrës i shërbimeve.
2. Çfarë hapash apo veprimesh mendoni se duhet të ndërmerren për të rritur diversitetin gjinor dhe për të krijuar një mjedis me gjithëpërfshirës në sektorin e energjisë?
Për të rritur diversitetin gjinor dhe për të krijuar një mjedis gjithëpërfshirës në sektorin e energjisë është e rëndësishëme të krijohen politika dhe programe të qarta për të inkurajuar diversitetin dhe përfshirjen në të gjitha nivelet e kompanisë dhe të sigurojnë që këto politika ndihmojnë në promovimin e barazisë gjinore, proces rekrutimi transparent që inkurajon aplikuesit me diversitet gjinor, investim në trajnime që përmirësojnë kompetencat dhe aftësitë e të gjithë punonjësve, krijimi i një kulturë të hapur dhe të përkushtuar ndaj diversitetit, të sigurojnë që të gjithë punonjësit kanë mundësi të barabarta për të përparuar në karrierë dhe për të marrë përgjegjësi të rëndësishme.
Ndërlidhur me këtë mendoj se KOSTT kësaj çështje i ka kushtuar një kujdes të veçantë duke promovuar vlerat dhe duke krijuar një mjedis gjithëpërfshirës.
3. Cili do të ishte mesazhi juaj për të rinjtë të cilët synojnë zhvillimin e karrierës në sektorin e energjisë?
Sektori i energjisë është një sektor dinamik dhe me plot sfida, andaj besoni në aftësitë tuaja dhe në potencialin që keni për të kontribuar dhe mundësinë për ngritje personale dhe profesionale.
Ju jeni gjenerata e ardhshme që keni potencialin për të bërë ndryshime të mëdha në sektorin e energjisë, sektor ky që është i rëndësishëm për të siguruar burime të qëndrueshme dhe të pastër të energjisë për të ardhmen tonë.
Rexhep Shaqiri ka përfunduar studimet themelore dhe magjistraturen në Fakultetin Teknik e Inxhinierisë Elektrike -FIEK, për të vazhduar me studimet e doktoraturës në Fakultetin Teknik të Sofies dhe ka doktoruar në vitin 2018 me temën “ Analysis of the processes related to switching of generators to Kosovo electrical power system”. Rexhepi ka të publikuara tetë (8) punime shkencore në revista dhe konferenca të ndryshme me impakt faktor - SCOPUS.
Fillimisht ka punuar si profesor i lëndëve elektroteknike në shkollën e mesme teknike "Mehmet Isai" si dhe nga viti 1999 deri në 2004 është angazhuar edhe në kompaninë amerikane Brown Root, duke punuar në kampin Amerikan Montieth dhe Bondstill. Në vitin 2004, Rexhepi ka filluar punën në Korporatën Energjetike e Kosovës (KEK), dhe qe nga viti 2006 punon në Operatorin e Sistemit të Transmetimit dhe Tregut të Energjisë Elektrike (KOSTT), ku aktualisht mban titullin Senior Specialist në Sektorin për Ndërtim të Rrjetit.
1. Na tregoni ju lutem pak rrugëtimin tuaj profesional si dhe kontributin tuaj në sektorin e energjisë apo në KOSTT?
Përpos angazhimeve të mia të shumta profesionale që nga viti 1991, në KOSTT më është dhënë mundësia për të udhëhequr shumë projekte, duke përfshirë projektet e para me energji të ripërtritshme, si Parku energjetik me erë Kitka me kapacitet 32.4 MW dhe PE Selaci me kapacitet 105 MW. Gjithashtu gjatë kësaj periudhe kam qenë i angazhuar në menaxhimin e më shumë se 20 projekteve për ndërtimin dhe rehabilitimin e sistemit dhe rrjetit transmetues të Republikës së Kosovës. Aktualisht jam menaxher i projektit të ndërtimit të linjës kabllore 110kV për kyçjen e nënstacionit të ri 110 kV/35/10(20)kV Kastriot-Ferizaj 3.
Paralel me angazhimet profesionale në sektorin e energjisë, në vitin 2013-2014 njëkohësisht kam filluar angazhimin si asistent i lëndës së Matjes Elektrike në FIEK si dhe nga viti 2019 jam i angazhuar si ligjërues në Kolegjin UBT. Nga viti 2020 jam anëtar i komisionit për Hulumtime ndërdisiplinore për Teknologji të Komunikimit dhe Informacionit pranë MASHT dhe nga viti 2023 jam zgjedhur si ekspert i jashtëm në OSHP.
2. Çfarë hapash apo veprimesh mendoni se duhet të ndërmerren për të rritur diversitetin gjinor dhe për të krijuar një mjedis më gjithëpërfshirës në sektorin e energjisë?
Qëllimi kryesor i shoqërisë duhet të jetë rritja e diversitetit gjinor dhe krijimi i një mjedisi gjithëpërfshirës në sektorin e energjisë dhe është e rëndësishme të zhvillohen fushata informuese dhe trajnime për të theksuar rëndësinë e diversitetit dhe barazisë gjinore.
Për më tepër, është e nevojshme të krijohen plane dhe strategji që synojnë të rrisin përqindjen e grave në pozita menaxhuese në projekte energjetike të ndryshme, për të inkurajuar vajzat dhe gratë të synojnë pozita udhëheqëse në kompanitë e energjisë.
3. Cili do të ishte mesazhi juaj për të rinjtë të cilët synojnë zhvillimin e karrierës në sektorin e energjisë?
Sektori i energjisë është njëri ndër sektorët më të rëndësishëm dhe jetik të zhvillimit ekonomik.
Duke parë këkresat e mëdha për energji elektrike dhe krizën e përgjithshme për energji elektrike mendoj që të rinjtë dhe të rejat duhet të hapen ndaj kësaj sfide dhe duhet të jenë të gatshëm për me iu përgjigj kësaj sfide.Studentët e rinj nuk duhet të hezitojnë për me aplikue për marrjen e bursave të ndryshme dhe ku gjithnjë te jne të gatshëm për me u përballë me probleme te ndryshme që paraqiten në sektorin e energjisë, sepse angazhimi i tyre do të i sjelle të mira personale por edhe për shoqerinë në përgjithësi.Sektori i energjisë është një sektor dinamik dhe me plot sfida por njëkohësisht është një sektor që ofron shumë mundësi për ngritje personale dhe profesionale