#NeJemiKOSTT
Leonora Hysenaj është inxhiniere diplomuar e Elektroteknikes nga Universiteti i Prishtinës, Fakulteti i Elektroteknikës-Drejtimi Energjetikë 1996, ndërsa në vitin 2007 përfundoi studimet Master në degën Menaxhim i Shërbimit (Service Management) në Rochester Institute of Technology (RIT Kosovo). Rrugëtimi i saj profesional në sektorin e energjisë e filloi në vitin 2003, fillimisht si Zyrtare e Projekteve në Divizionin e Energjisë pranë BE-Shtyllës së IV-t të UNMIK-ut, ka menaxhuar projekte të BE-së, Bankës Botërore dhe donatorëve të ndryshëm në të gjithë dikasteret e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), ku edhe më pastaj vazhdoi punën. Nga viti 2013 deri në vitin 2018, ka ushtruar disa funksione në kuadër të Kompanisë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) dhe nga viti 2018 filloi punën në KOSTT dhe mbanë pozitën e Menaxheres së Sektorit të Implementimit të Projekteve.
- Na tregoni ju lutem pak rrugëtimin tuaj profesional si dhe kontributin tuaj ne sektorin e energjisë apo në KOSTT?
Kontributi im më i madh i ushtruar në funksione të ndryshme, ka qenë i koncentruar në realizimin e suksesshëm të të gjitha projekteve kapitale dhe investimeve të reja në Divizionin e Rrjetit duke përfshirë punimet në nënstacione ekzistues dhe të reja të nivelit 110/x kV dhe 35/10(20) kV dhe Linjave: 110 kV, 35 kV, 10(20) kV, pranimin teknik të projekteve kapitale dhe materialit teknik, kryerjen e procesit të prokurimit për materiale, punë dhe shërbime për investime kapitale dhe operative.
Menaxhimi i implementimit të suksesshëm të projekteve të nënstacioneve të reja 220/10(20)kV dhe 110/10(20)kV, financuar nga BERZH, koordinimit të projekteve me akterët e tjerë qoftë të brendshëm apo institucional, inspektimit të punimeve dhe finalizimin e projekteve në bashkëpunim me ekipin menaxhues dhe atë teknik, më ka mundësuar të ngritëm profesionalisht duke ndarë përvojat direkt me specialistët e fushave të ndryshme brenda KOSTT dhe në përkrahjen e inxhinierëve të rinj duke ndarë me ta përvojën në baza ditore.
Për më tepër, unë besoj fuqishëm në rëndësinë e nxitjes së bashkëpunimit dhe shkëmbimit të njohurive brenda sektorit të energjisë. Për këtë qëllim, kam marrë pjesë në konferenca të Komitetit Nacional të CIGRE ku jam edhe anëtare, inspektime, testime dhe takime, si në nivel lokal ashtu edhe ndërkombëtar.
E gjithë përvoja e lartcekur më bën të ndihem e plotësuar me shkathtësi në implementim të projekteve dhe ndjehem e pasionuar për të vazhduar të jap kontribut tim dhe të nxis ndryshime pozitive në sektorin e energjisë, dhe besoj se përvojat dhe ekspertiza ime më japin forcën e duhur.
- Çfarë hapash apo veprimesh mendoni se duhet të ndërmerren për të rritur diversitetin gjinor dhe për të krijuar një mjedis më gjithpërfshirës në sektorin e energjisë?
Promovimi i diversitetit gjinor dhe krijimi i një mjedisi gjithëpërfshirës në sektorin e energjisë në Kosovë mendoj se kërkon një qasje të shumanshme që përfshin akterë të ndryshëm. Si një sektor gjithmonë në zhvillim, i gjerë dhe multi dimensional, është e domosdoshme që të ketë përfshirje të shtuar të grave dhe numër më të madh të tyre në pozita drejtuese dhe inxhinierike në sektorin energjetik. Disa hapa që mund të ndërmerren për të arritur këto qëllime janë zbatimi i politikave që promovojnë barazinë gjinore, si paga e barabartë për punë të barabartë, pushimi i lehonisë, orari fleksibël i punës dhe masat kundër diskriminimit, inkurajimi i edukimit dhe trajnimit qysh në faza të hershme të shkollimit, promovimi i rrjetëzimit dhe bashkëpunimit, si dhe rritja e ndërgjegjësimit dhe ndryshimi i perceptimeve kunddrejt sektorit të energjisë. Me zbatimin e këtyre hapave, sektori i energjisë në Kosovë mund të bëhet më i larmishëm, gjithëpërfshirës dhe mbështetës i grave profesioniste, duke zhbllokuar potencialin e tyre të plotë dhe duke kontribuar në një sektor të qëndrueshme dhe të barabartë.
- Cili do te ishte mesazhi juaj per te rinjte te cilet synojne zhvillimin e karrieres ne sektorin e energjise?
Sektori i energjisë është sektor gjithmonë në zhvillim, i gjerë dhe aspirues për tranzicion drejt të ardhmes së pastër e të qëndrueshme. Sektori i energjisë paraqet një mundësi të jashtëzakonshme për të bërë një ndikim domethënës në botën tonë, për të kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm të vendit tonë dhe për të adresuar sfidat urgjente mjedisore. Andaj, duke ju uruar rrugëtim të suksesshëm, ju udhëzoj që të krijoni një mentalitet fitues, nxitje në pasionin për zhvillimin e qëndrueshëm, jini të gatshëm që të mësoni e të kontribuoni në çdo kohë dhe ndërtoni një grup aftësish të larmishme të cilat do të jenë udhërrëfyesi juaj kryesor drejt suksesit në këtë sektor. Me besimin që ju, gjeneratat e reja do të shfrytëzoni mundësit e shumta të kohës dhe do të jeni edhe më të suksesshëm në të arriturat në sektorin energjetikë, ju uroj fat e sukses në rrugëtimin akademik e profesional tuajin!
Bashkë mund dhe do të i’a dalim, në arritjen e objektivave dhe avancimit të sektorit të energjisë!
Shyqeri Morina ka përfunduar studimet themelore në drejtimin Elektroenergjetikë Industriale dhe studimet master në drejtimin Sisteme Elektroenergjetike në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në Universitetin e Prishtinës. Aktualisht është kandidat në studimet e doktoratës në Universitetin Teknik në Sofje në drejtimin Rrjetet dhe Sistemet e Energjisë Elektrike. Është pjesëmarrës i rregullt në konferenca shkencore dhe ka të publikuara disa punime shkencore në lëmine e energjetikës, me fokus në balancimin e sistemit dhe integrimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë. Në vitin 2007 filloi punën në KOSTT ku aktualisht mbanë pozitën menaxher për administrim dhe zhvillim të tregut.
- Na tregoni ju lutem pak rrugëtimin tuaj profesional si dhe kontributin tuaj në sektorin e energjisë apo në KOSTT?
Në KOSTT kam filluar punën si praktikant, pastaj kam vazhduar si inxhinier dhe aktualisht jam në pozitën Menaxher i Sektorit për Administrim dhe Zhvillim të Tregut në departamentin e Operimit të Tregut. Punët në këtë sektor janë të larmishme dhe sfiduese pasi që kanë të bëjnë me administrimin e proceseve që ndërlidhen me aktivitetin e tregtimit të pjesëmarrësve të tregut dhe zhvillimin e tregut, ku ndër tjera përfshihen integrimi i burimeve të ripërtëritshme dhe i tregut të energjisë elektrike. Pasi që aktualisht mbaj pozitën e Kryetarit të Këshillit Mbikëqyrës në ALPEX, angazhohem në operacionalizimin e tregut të organizuar një ditë para dhe brenda ditës në zonën ofertuese të Kosovës dhe bashkimin e tregut me Shqipërinë, si dhe në rritjen e likuiditetit të ALPEX. Ndër sfidat që vlen të përmenden, të cilat ndërlidhen me angazhimin tim të drejtpërdrejtë, janë fillimi i operimit të KOSTT si Zonë e Rregulluese e pavarur brenda Bllokut Rregullues me Shqipërinë, prokurimi i rezervave balancuese të sistemit, integrimi i burimeve të ripërtëritshme të energjisë, si dhe bashkimi i tregut me Shqipërinë. Gjithashtu kontributi im ka qenë pjesëmarrja në grupe punuese lidhur me hartimin e legjislacionit primar dhe sekondar që përfshinë fushë veprimtarinë e KOSTT, si dhe në programe shumëvjeçare në nivel rajonal me qëllim nxitjen e integrimit dhe funksionimit të tregjeve të energjisë elektrike, si ashtuquajtura Iniciativa e Tregut të Energjisë Elektrike (EMI) dhe Task Forca e Evropës Juglindore (SEE TF) në mbështetje të ENTSO-E.
- Çfarë hapash apo veprimesh mendoni se duhet të ndërmerren për të rritur diversitetin gjinor dhe për të krijuar një mjedis më gjithëpërfshirës në sektorin e energjisë?
Kontributi i të dy gjinive luan rol shumë të rëndësishëm në rritjen e produktivitetit si në shoqëri në përgjithësi ashtu edhe në ambientet e punës në veçanti. Organizimi i kampanjave informuese lidhur me kushtet e punës si dhe ofrimi i mundësive të barabarta për të dy gjinitë, mendoj se do të ndihmonte në rritjen e diversitetit gjinor edhe në sektorin e energjisë .
- Cili do të ishte mesazhi juaj për të rinjtë të cilët synojnë zhvillimin e karrierës në sektorin e energjisë?
Sektori i energjisë është njëri ndër sektorët më të rëndësishëm dhe jetik të zhvillimit ekonomik. Tranzicioni energjetik drejt burimeve të ripërtëritshme të energjisë, efiçencës dhe mbrojtjes së mjedisit si dhe integrimi në tregjet rajonale me synim tregun Pan-Evropian, do të krijojë një sektor energjetik të qëndrueshëm që garanton siguri të furnizimit me energji elektrike me kosto reflektive. Këto zhvillime do të ndikojnë që ky sektor të vihet në fokus të investimeve të mëdha, përfshirë sektorin privat dhe donatorët, duke krijuar mundësi të reja për bizneset, konsumatorët, ekspertët në këtë lëmi e sidomos për të rinjtë të cilët synojnë zhvillimin e karrierës në sektorin e energjisë.