#NeJemiKOSTT

Përkushtimi dhe kontributi i secilit punonjës pa dallim është vlerë e çmuar në drejtim të përmbushjes së objektivave strategjike të kompanisë. Çdo muaj prezantojmë intervistat e realizuara me dy punonjës të përzgjedhur.


11/30/2020

Herolinda Blakaj Lekaj ka përfunduar studimet në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në Universitetin e Prishtinës dhe është Master i Shkencave të Inxhinierisë Elektrike. Rrugëtimin në karrierë e filloi si asistente e angazhuar në disa lëndë në Departamentin e Elektroenergjetikës në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Herolinda punon si Inxhiniere për Operim të Tregut që nga viti 2016 në Departamentin e Operimit të Tregut në KOSTT.

1.Çfarë ju inspiron për të vazhduar punën në sektorin e energjisë/KOSTT?

Energjia Elektrike përdoret nga të gjithë! Ekonomia dhe çdo sektor tjetër mbështeten në të pasurit energji elektrike të qëndrueshme, dhe duke qenë pjesë e kësaj industrie përkatësisht pjesë e KOSTT automatikisht je pjesë e diçkaje të madhe. Puna në një industri me shumë ndryshime dhe kompleksitet mund të jetë vërtetë sfiduese, por mendoj se kjo më bën më të përgatitur për të ardhmen për të vazhduar suksesshëm rrugëtimin në këtë sektor.

2.Na tregoni ju lutem për një  projekt të veçantë/angazhim specifik apo sfidë me të cilën jeni përballur gjatë punës tuaj profesionale në sektorin e energjisë

Puna në Sektorin për Operim të Tregut është shumë dinamike dhe sfiduese. Ndër angazhimet që do të veçoja është funksionalizimi i modulit të ri (platformës) nga NOVITA për kryerjen e procesit të Skedulimit përfshirë testimet me Operatorët e Sistemit të Transmetimit fqinje, kjo ka shërbyer edhe si fazë pëgatitore për mënyrën e kryerjes së këtij procesi nga momenti kur KOSTT do të fillojë operimin si Zonë Rregulluese.

3. A mendoni që roli dhe kontributi i të dy gjinive pa dallim është i rëndësishëm në sektorin e  energjisë dhe çka mendoni se duhet ndërmarrë për të rritur diversitetin gjinor në këtë sektor?  

Diversiteti gjinor është jetik për zhvillim të qëndrueshëm dhe është veçanërisht i rëndësishëm për industrinë e energjisë për shumë arsye.

Së pari, ekipet e ekuilibruara gjinore kanë performancë më të mirë. Së dyti diversiteti gjinor në sektorin e energjisë është parësor për të udhëhequr projekte inovative dhe gjithëpërfshirëse për tranzicionet në këtë sektor dhe së fundi përfshirja e femrave në sektorin e energjisë duhet të shihet si mundësi për të përmirësuar diversitetin e njohurive dhe jo vetëm diversitetin gjinor.

Ndonëse sektori i energjisë ka qenë tradicionalisht i dominuar nga meshkujt, kjo ka filluar të ndryshojë dhe mendoj se KOSTT është kompania shembull e fillimit të këtij ndryshimi në Kosovë.

Sylë Bytyqi është inxhinier i diplomuar i elektroteknikës në drejtimin "Automatikë Elektronike" në Fakultetin e Elektroteknikës në Universitetin e Prishtinës.

Rrugëtimi i Sylës në sektorin e energjisë ka filluar menjëherë pas përfundimit të studimeve në vitin 2004, duke filluar si Inxhinier praktikant në sektorin SCADA/RTU në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) ku mëpastaj u angazhua në mirëmbajtjen e Sistemeve të Automatizuara të Nënstacioneve SAS/SCS, dy projektet e para të implementuara gjatë viteve 2003/2004 si dhe RTU-ve tjera të vjetra të mbetura nga sistemi paraprak.  Në vitin 2005 Syla u angazhua në projektin e radhës “SCADA lokale në NS Kosova B” si inxhinier specialist për testim dhe pranim teknik të këtij projekti. Puna dhe angazhimet e Sylës u vlerësuan lartë duke e avancuar si udhëheqës të sektorit SCADA/RTU në Divizionin e Bartjes dhe Dispeçingut në KEK.

Aktualisht Syla mban titullin senior inxhinier specialist për SCADA SCS në KOSTT, duke qenë përgjegjës për mbikëqyrjen dhe mirëmbajtjen në gjendje të rregullt harduerin dhe softuerin e SCADA/RTU-ve nëpër të gjitha nënstacionet e Sistemit të Transmetimit të Kosovës, përfshirë zhvillimin ndërtimin dhe mirëmbajtjen e SCADA-ve lokale të këtyre nënstacioneve, përgatitjen e planeve për zhvillim dhe ndërtim të SCADA/RTU, përpilimin e specifikimeve teknike, përcjelljen e dinamikës së momentit dhe lëshimin në punë të këtyre pajisjeve.

1.Çfarë ju inspiron për të vazhduar punën në sektorin e energjisë/KOSTT?

Gjatë 16 viteve të punës sime në KOSTT, jam angazhuar tërësisht apo pjesërisht gati në të gjitha projektet që janë zhvilluar gjer me tani. Të jesh pjesëmarrës në planifikim, dizajnim, implementim, testim dhe lëshim në punë të këtyre pajisjeve është një eksperiencë e jashtëzakonshme.

Sistemet SCADA janë bashkësi integrale e një mori pajisjeve me rol dhe funksion të veçantë, prandaj mbajtja e tyre në gjendje të rregullt të funksionimit dhe komunikimit me njëra tjetrën, nganjëherë zëvendësimi i tyre apo zgjerimi me pajisje dhe teknologji tjetër është mjaft sfiduese, atraktive, dhe të mban aktiv në përcjelljen e zhvillimeve të përditshme të teknologjisë.

Gjithashtu, duhet cekur se KOSTT çdoherë është angazhuar në krijimin e kushteve dhe zhvillimin profesional të stafit duke ofruar trajnime, pjesëmarrje në konferenca, vizita studimore etj. ashtu që puna komplekse të bëhet e lehtë për ne.

2.Na tregoni ju lutem për një  projekt të veçantë/angazhim specifik apo sfidë me të cilën jeni përballur gjatë punës tuaj profesionale në sektorin e energjisë

Dua ti veçoj dy projekte, “Rehabilitimi i Nënstacionit NS Kosova B dhe instalimi i SCADA lokale” i cili ishte prej projekteve të para ku isha angazhuar dhe pjesëmarrja ime në këtë projekt ishte një përvojë e jashtëzakonshme. Duke qenë edhe nënstacioni më i madh në Kosovë, ishte një projekt model/referues edhe për projektet tjera në vijim.

Si projekt tjetër do të veçoja implementimin e Sistemit SCADA EMS dhe integrimin e 33 nënstacioneve në këtë sistem.  Ky ishte një prej projekteve më të mëdha dhe më komplekse që është implementuar ndonjëherë. Pjesëmarrja jonë në këtë projekt ishte më ndryshe ku pas trajnimit të suksesshëm tremujor në qendrën trajnuese Areva/Alstom  (Paris) dhe nën mbikëqyrjen e kontraktorit kemi ndërtuar/populluar bazën e të dhënave dhe vizuelizimin e skemave njëpolare për të gjitha nënstacionet e sistemit tonë energjetik. Ky projekt ka zgjatur për dy-tri vite me radhë duke u kompletuar me  funksione dhe module të ndryshme në vitin 2010.

3.A mendoni që roli dhe kontributi i të dy gjinive pa dallim është i rëndësishëm në sektorin e  energjisë dhe çka mendoni se duhet ndërmarrë për të rritur diversitetin gjinor në këtë sektor?  

Diversiteti dhe gjithëpërfshirja janë kushte për një shoqëri të drejtë dhe të zhvilluar nga pikëpamja sociale dhe ekonomike të cilat duhet të merren parasysh në punën e secilit institucion. Ne si KOSTT mendojmë se dallimet gjinore janë çështje të tejkaluara dhe se nuk janë prezente në institucionin tonë.

Intervistat e fundit

#NeJemiKOSTT

#NeJemiKOSTT

#NeJemiKOSTT

#NeJemiKOSTT

#NeJemiKOSTT

#NeJemiKOSTT

#NeJemiKOSTT

#NeJemiKOSTT

#NeJemiKOSTT

#NeJemiKOSTT