#NeJemiKOSTT

Përkushtimi dhe kontributi i secilit punonjës pa dallim është vlerë e çmuar në drejtim të përmbushjes së objektivave strategjike të kompanisë. Çdo muaj prezantojmë intervistat e realizuara me dy punonjës të përzgjedhur.


9/22/2020

Edita Bytyqi-Muqkurtaj është Magjistre e Shkencave të Elektroenergjetikës e cila punon qe 10 vite në sektorin e energjisë elektrike. Karrierën profesionale e filloi si asistente në disa lëndë në Departamentin e Elektroenergjetikës të Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në Universitetin e Prishtinës.

Nga Shkurti i vitit 2011 Edita punon në KOSTT si Inxhiniere për Planifikimin e Mirëmbajtjes Afatgjate (strategjike) në kuadër të Departamentit të Operatorit të Transmisionit, sektori Planifikimi i Mirëmbajtjes.

1.Çfarë ju inspiron për të vazhduar punën në sektorin e energjisë/KOSTT?

Sektori i energjisë është fusha ku unë e gjej veten më së miri dhe nuk mund ta mendoj veten në një profesion tjetër. Pasi që i kam përfunduar studimet në drejtimin e sistemeve elektroenergjetike, puna në KOSTT dhe në sektorin e energjisë më bën që të mos dalë jashtë profesionit që gjithmonë e kam dëshiruar. Derisa mendoj që perspektiva e së ardhmes është energjia dhe sidomos energjia efiçiente, zhvillimet teknologjike, ndikimet në mjedis dhe në jetën e përditshme si dhe sfidat në sektorin e energjisë më inspirojnë të merrem me këtë profesion me pasion dhe zell të madh

Njëkohësisht dëshiroj të theksoj që është privilegj që të punoj në një kompani të tillë siç është KOSTT, pasi që ofron kushte dhe një ambient mjaft të mirë që unë të zhvillohem edhe më tutje profesionalisht.

2.Na tregoni ju lutem për një projekt të veçantë/angazhim specifik apo sfidë me të cilën jeni përballur gjatë punës tuaj profesionale në sektorin e energjisë

Të gjitha projektet ku kam qenë e kyçur kanë pasur sfidat e tyre të veçanta. Përballja me to më ka ndihmuar të zhvillohem më tutje në fushën e energjisë elektrike. Puna në operatorin e transmisionit më ka ndihmuar të njohë dhe të përcjellë zhvillimin e të gjitha pajisjeve të reja të tensionit të lartë. Si sfidë kryesore kisha me thënë që është përcjellja e teknologjive të reja dhe gjetja e rrugëve të implementimit të tyre në Sistemin Elektroenergjetik të Kosovës. Gjithashtu, puna në këtë departament më ka mundësuar që unë të njoh më mirë Sistemin Transmetues të Kosovës me të gjitha linjat dhe nënstacionet që përmban.

Rritja e performancës dhe optimizimi i punës së pajisjeve të tensionit të lartë është angazhimi dhe sfida kryesore me te cilën merremi në baza ditore duke siguruar furnizim të pandërprerë dhe kualitativ me energji për gjithë qytetarët, nga aspekti i transmetimit të energjisë elektrike.

3.A mendoni që roli dhe kontributi i të dy gjinive pa dallim është i rëndësishëm në sektorin e energjisë dhe çka mendoni se duhet ndërmarrë për të rritur diversitetin gjinor në këtë sektor?

Po, gjithsesi diversiteti gjinor është shumë i rëndësishëm në sektorin e energjisë sikurse dhe në të gjitha sferat e jetës. Sa i përket diversitetit gjinor, kompania KOSTT qëndron shumë mirë në krahasim me kompanitë e tjera si të sektorit publik ashtu edhe të atij privat.

Në përvojën time 10 vjeçare në KOSTT nuk kam hasur në nënvlerësime profesionale gjinore dhe mendoj që të dy gjinitë pa dallim vlerësohen njësoj. Besoj që viteve të fundit ka ndryshuar pikëpamja e femrave për të studiuar dhe punuar në fushën e energjisë dhe kjo ndikon edhe në rritjen e diversitetit gjinor të të punësuarve në ketë sektor. Fushatat e ndryshme që janë realizuar në lidhje me vetëdijësimin e nxënësve që të studiojnë në sektorin e energjisë besoj që kanë filluar të japin rezultate


Kushtrim Krasniqi është inxhinier i diplomuar i elektroteknikës. Studimet në drejtimin e sistemeve elektroenergjetike i ka përfunduar në Departamentin e Elektroenergjetikës të Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në Universitetin e Prishtinës. Me të përfunduar studimet, Kushtrimi menjëherë u angazhua që të jap kontributin në sektorin e energjisë fillimisht në aspektin e trajnimeve për elektricistët e ardhshëm duke i’u ndihmuar në rrugëtimin e tyre të punës praktike si dhe në aspektin teorik në përgjithësi.

Kushtrimi punon si Dispeçer Operativ Nacional që nga viti 2011 në Departmentin e Operimit të Sistemit në KOSTT.

1. Çfarë ju inspiron për të vazhduar punën në sektorin e energjisë/KOSTT?

Sektori i energjisë në Kosovë ka nevojë për kontributin e shumë profesionistëve të inxhinierisë elektrike për të krijuar një sistem të sigurt të gjenerimit, transmetimit por edhe të shpërndarjes së energjisë elektrike që do të ndikonte në shumë sfera të jetës në vendin tonë. Andaj, duke pasur parasysh këtë unë kam vullnet të madh të punoj në këtë drejtim, respektivisht të vazhdoj punën profesionale në Operatorin e Sistemit të Transmetimit në KOSTT.

2. Na tregoni ju lutem për një projekt të veçantë/angazhim specifik apo sfidë me të cilën jeni përballur gjatë punës tuaj profesionale në sektorin e energjisë?

Në përgjithësi, puna në sektorin e energjisë është shumë sfiduese, por edhe relaksuese pas sukseseve që arrin në punë apo projekte të caktuara. Puna në kohë reale në Qendrën Nacionale Dispeçerike ku punoj tashmë qe disa vite e ku monitorohet, operohet dhe optimizohet i gjithë Sistemi Elektroenergjetik i Kosovës të bën shumë përgjegjës për secilin veprim që ndërmerr.

Sistemi i Transmetimit të energjisë elektrike është fuqizuar shumë në dekadën e fundit, megjithatë rëniet në disa raste të caktuara dhe specifike janë të pashmangshme, andaj, një ndër veprimet që mbaj mend është shmangia e rënies së një pjese të konsiderueshme të rrjetit, respektivisht mbetja pa furnizim me energji elektrike e Rrafshit të Dukagjnit pas rënies së dy linjave 400kV që janë të kyçura në Nënstacionin 400/110 kV Peja 3. Rënia e këtyre linjave 400kV në njërën anë dhe operimet-konfigurimet me linjat 110kV të asaj pjese të rrjetit që I ndërmorrëm nga Qendra Nacionale Dispeçerike, mundësoi që të vazhdoj furnizimi me energji elektrike në këtë pjesë të Kosovës. Veprimet e tilla të shpeshta më bëjnë krenar mua por edhe kolegët e sektorit për Dispeçing dhe Kontrollë në KOSTT.

3. A mendoni që roli dhe kontributi i të dy gjinive pa dallim është i rëndësishëm në sektorin e energjisë dhe çka mendoni se duhet ndërmarrë për të rritur diversitetin gjinor në këtë sektor?

Padyshim që kontributi i të dy gjinive luan rol të madh në zhvillimin e sektorit të energjisë në Kosovë.

Kjo tashmë është dëshmuar viteve të fundit që gjinia femërore është shumë e angazhuar dhe rezultatet janë të dukshme, e diversiteti gjinor do të jap çdo herë e më shumë kontributin në sektorin e energjisë.

Intervistat e fundit

#NeJemiKOSTT

#NeJemiKOSTT

#NeJemiKOSTT

#NeJemiKOSTT

#NeJemiKOSTT

#NeJemiKOSTT

#NeJemiKOSTT

#NeJemiKOSTT

#NeJemiKOSTT

#NeJemiKOSTT